Lajme

​Nagavci: Projektbuxheti së shpejti në Kuvend, një miliard euro për zhvillim

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se projektligji për buxhetin 2027 do të procedohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ai do të përfshijë një miliard euro për zhvillim (investime kapitale)

Nagavci ka thënë për KosovaPress se projektbuxheti do të reflektojë prioritetet e Qeverisë dhe premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore, me fokus të veçantë në mbrojtje, siguri, infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi.

Nagavci flet se çfarë zhvillime do ketë nga projektligji për buxhet

“Projektligji për buxhet do të vij shumë shpejt në kuvend dhe besoj se ai do të reflektoj prioritetet e Qeverisë, programin i cili është paraqitur edhe gjatë fushatës sonë zgjedhore. Do të jetë një projektbuxhet i zhvillimit, një miliard euro për zhvillim. Buxhet i fokusuar tek mbrojtja, siguria, zhvillimi. Do zhvilloj vendin, hekurudhat, digat, mbrojtje dhe siguri, ushtri, investim në arsim, shëndetësi, të gjitha ato që kanë qenë premtime të kryeministrit Kurti”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka theksuar se projektet me interes dhe rëndësi për vendin do të përfshihen në buxhet, por ka kërkuar që planifikimi dhe realizimi i tyre të bëhet në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas Nagavcit, në të kaluarën ka pasur projekte që janë zvarritur për shkak të planifikimit jo të mirë, duke theksuar se praktika të tilla nuk duhet të përsëriten.

Nagavci flet për opozitën, planifikimin jo të mirë të projektligjeve

“Ato që janë projekte me interes e me rëndësi, patjetër që do të jenë të përfshira në buxhet, por është shumë e rëndësishme, që të mos bëhen propozime si këto që sapo i pamë dhe gjithçka të planifikohet dhe realizohet me qëndrueshmëri. Ne jemi dëshmitarë që projektet të cilat janë parapa me vite përpara, kanë marrë më shumë kohë sesa do të duhej të ndodhte në rrethana reale, pikërisht për shkak të propozimeve apo planifikimit jo të mirë, gjëra të tilla nuk do lejohen”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës prej orës 16:00 në ndërtesën e qeverisë, raporton KosovaPress.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për këtë mbledhje që pritet të mbahet sot pasdite.

Mësohet se në këtë mbledhje pritet të miratohet projektbuxheti për vitin 2027.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të partisë së tij të shtunën tha se projektbuxheti për vitin 2027 do të procedohet në Kuvend të hënën.

Ai madje, përmendi shumën prej mbi 1 miliard euro për investime kapitale.

Nga deputetët e LDK-së është kritikuar Qeveria për shkeljen e afatit ligjor për procedimin e buxhetit për vitin 2027.

Të Ngjashme