Autoritetet italiane kanë mundur të zbardhin plotësisht vrasjen e parukierit 26-vjeçar nga Barletta, Francesco Diviesti, ngjarje e ndodhur më 25 prill 2025 dhe e konsideruar si një ekzekutim i organizuar me metoda mafioze.
I dyshuari kryesor është Igli Kamberi, 41 vjeç, i cili akuzohet se kontrollonte dhe menaxhonte tregtinë e drogës në Barletta. Për vrasjen e 26-vjeçarit akuzohen edhe dy shtetas italianë nga Barletta, një burrë dhe një grua, të cilët, sipas hetuesve, ndihmuan në fshehjen e ngjarjes dhe nuk raportuan asgjë tek autoritetet gjyqësore.
Sipas hetuesve, zanafilla e krimit lidhet me një borxh prej 300 eurosh që Diviesti kishte me Kamberin.
Sipas autoriteteve Diviesti u zhduk pas një konflikti të ndodhur në një lokal në Barletta, ndërsa më pas është marrë dhe transportuar drejt një zone të izoluar në Murgia të Sipërme, pranë Canosa di Puglia, ku është ekzekutuar me disa të shtëna arme zjarri.
Pas vrasjes, autorët i kanë vënë flakën trupit të tij brenda gomave, në një përpjekje për të shkatërruar provat dhe për të vështirësuar identifikimin e viktimës, një metodë e përdorur më herët në ngjarje të ngjashme kriminale në rajon.
Fakti që 26-vjeçari kontestoi borxhin u interpretua nga i dyshuari kryesor si fyerje personale ndaj autoritetit të tij.
“Diviesti ka vënë në dyshim pozicionin e lartë të 41-vjeçarit, fjalën e tij — një fyerje që duhet të lahet me gjak, sipas gjuhës më arkaike të pushtetit mafioz”, shpjegoi deputeti Giuseppe Gatti, koordinator i DDA-së së Barit.
