Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po shfrytëzohet nga Serbia si pjesë e një fushate politike dhe diplomatike kundër Kosovës. Beogradi nuk po e trajton vendimin vetëm si një zhvillim gjyqësor, por po e vendos atë në qendër të diskursit të tij diplomatik, duke synuar ta paraqesë si dëshmi për narrativën që prej vitesh ndërton kundër UÇK-së dhe Kosovës. Paralelisht, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se Serbia mund ta shfrytëzojë këtë moment për ta intensifikuar lobimin kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për ta sfiduar më tej subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të shfrytëzohet nga Serbia si pjesë e ofensivës së saj diplomatike kundër Kosovës.
Beogradi tashmë ka nisur ta përdorë vendimin në diskursin e tij politik, duke e paraqitur atë si mbështetje për pretendimet që Serbia prej vitesh i adreson ndaj UÇK-së dhe Kosovës.
Ministri serb Ivica Daçiq e cilësoi aktgjykimin si “provë ligjore”, ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiq e lidhi atë me pretendimet e Serbisë për krimet ndaj serbëve në Kosovë.
Në këtë kontekst, profesorë universitarë dhe njohës të çështjeve politike vlerësojnë se pasojat e vendimit mund të shtrihen përtej procesit gjyqësor dhe të përdoren nga Beogradi edhe në arenën ndërkombëtare.
Analisti Dritëro Arifi thotë se vendimi mund të përdoret nga Serbia dhe Rusia në forume ndërkombëtare për të ndërtuar një narrativë politike kundër Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s.
“As Bashkimi Evropian nuk është i vetëdijshëm për efektin afatgjatë që ka me prodhu ky vendim. Pra, nuk është vetëm vendim juridik, por është vendim puro politik, sepse Rusia dhe Serbia në çdo takim bilateral, multilateral, në çdo organizatë ndërkombëtare do ta argumentojnë që NATO ka bombarduar një vend të pavarur duke u bazuar në ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’. Rrjedhimisht, kemi edhe një shtet të krijuar nga ajo ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’?”, ka thënë Arifi.
E profesori universitar Emrush Thaçi thotë se Beogradi tashmë ka nisur një fazë të re fushate kundër njohjeve të Kosovës, ndërsa zhvillimet politike në Serbi mund t’i japin kësaj çështjeje edhe dimension të brendshëm elektoral.
“Fillon me fushatë ku thotë ne do të angazhohemi në çnjohjen e shteteve, do të thotë të heqin çnjohjet nga disa shtete për të cilat faktikisht kemi ndikim dhe kemi shpresa, për të cilat faktikisht unë nuk besoj shumë, por diplomacia, politika e Kosovës, qeveria e Kosovës, partitë politike, do të thotë me theks të veçantë të gjitha duhet të mobilizohen së bashku, e kanë momentin që t’i bashkojnë forcat edhe jo, do të thotë, ta shohin njëra-tjetrën armike, uh, mund të jetë kundërshtar politik, por jo armik, për shkak se, uh, të gjithë, do të thotë, e kanë një synim, mbi të gjitha, do të thotë, është shteti i Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Sipas profesorëve universitarë, për Kosovën, sfida pas aktgjykimit nuk mbetet vetëm juridike.
Vendimi tashmë po përdoret në deklaratat politike të Beogradit dhe mund të shndërrohet në një tjetër instrument të diplomacisë serbe ndaj Kosovës.
