Lajme

Aktivitete për vetëdijesim në kuadër të Ditëve të AME-së

Në kuadër të shënimit të “Ditëve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent”, po vazhdojnë aktivitetet për ndërgjegjësim, informim dhe bashkëpunim me strukturat e sigurisë dhe emergjencave në vend.

Siguria e qytetarëve dhe reagimi i shpejtë në raste emergjente mbeten prioritet kyç për institucionet e vendit. Në këtë kuadër, në aktivitete të përbashkëta janë përfshirë Qendrat Operative Emergjente, Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës, Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim.

Ky aktivitet i AME-së ka për qëllim informimin e qytetarëve për misionin e tyre.

“Që është mbrojtja, shpëtimi i qytetarëve, pronës, të mirave materiale dhe ambientit në përgjithësi në nivel vendi, ku njëkohësisht iu tregojnë se si duhet të veprojnë në rastet emergjente, aksidenteve që mund të ndodhin, por edhe fatkeqësive që mund të ndodhin”, theksoi Shefki Abdullahu, ud drejtor i AME-së.

Numrat emergjentë, në veçanti numri unik në nivel vendi – 112 – mundëson reagim dhe informim më të shpejtë për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe të mirave materiale.

“Idetë janë që të sensibilizohen qytetarët edhe për rreziqet, për fatkeqësitë natyrore, për fatkeqësi të tjera dhe për zjarret, por edhe për t’i informuar qytetarët se kanë ku të drejtohen kur rrezikohen nga këto fatkeqësi, duke pasur ekipe që reagojnë në momentin e parë që marrin informatën se atyre iu rrezikohet jeta ose pasuria”, deklaroi Malë Gashi nga Njësia profesionale e zjarrfikësve. 

Ky mision i AME-së është duke u prezantuar në të gjitha qytetet e vendit, me qëllim parandalimin e fatkeqësive të mundshme përmes vetëdijesimit të qytetarëve.

Të Ngjashme