Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Albulena Haxhiu emërohet Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna

 
   

Albulena Haxhiu është emëruar Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, pasi e emëroi Hahxiun në këtë pozitë.

 “Për të parandaluar përsëritjen e dhunës, kemi miratuar Kurrikulën për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje. Ndërsa më 29 nëntor do ta lansojmë Programin Kombëtar për Kryerësit e dhunës ndaj grave” ka thënë Kurti në njoftimin e tij.

Kryeministri bëri të ditur se ky emërim vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Ky është njoftimi i plotë:

Sot kam emëruar Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme.

Për bashkëpunim më të thelluar, me qasje ndër-sektoriale dhe zinxhir institucional të fuqizuar, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022-2026).

Si përgjigje ndaj dhunës, po e përmirësojmë edhe kornizën ligjore.

Kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal.

Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike.

Për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. 

Rregulluam bazën ligjore për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunim seksual, dhe prioritizim të hetimeve dhe gjykimeve për këto raste.

Për trajtimin e dhunimeve seksuale kemi lansuar Protokollin Shtetëror.

Kemi rritur financimin e shërbimeve të strehimoreve për mbi 100% për 2023.

Përmes miratimit të projektligjit për shërbime sociale dhe familjare, filluam reformë të thellë për Qendrat për Punë Sociale.

Për raportim të unifikuar po krijojmë module të reja në bazën e të dhënave nacionale të dhunës në familje.

Për të parandaluar përsëritjen e dhunës, kemi miratuar Kurrikulën për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje. Ndërsa më 29 nëntor do ta lansojmë Programin Kombëtar për Kryerësit e dhunës ndaj grave.

Na duhet angazhim i përbashkët institucional e shoqëror. Këtë tani e lehtëson Udhëzuesi për funksionalizimin e mekanizmave lokal kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Ministria e Drejtësisë ka planifikuar mbi 80 aktivitete në kuadër të fushatës “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”, e cila do të hapet me 25 nëntor.

Puna në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk ndalet, vazhdon përditë.