Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, ka kujtuar nga Haga 29-vjetorin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka rikujtuar momentin kur Rexhep Selimi, së bashku me Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinajn, dolën publikisht në emër të UÇK-së.
“Në 29-vjetorin e daljes publike të UÇK-së, kur bashkë me Heroin e Lirisë, Mujë Krasniqin, dhe Luftëtarin e Lirisë, Daut Haradinaj, Rexha u bë zëri i shqiptarëve që po luftonin për liri”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Deputetja e LVV-së ka thënë se këtë përvjetor po e kujton nga Haga, ku po mbahet bashkëshorti i saj, Rexhep Selimi.
“Nga fushëbeteja kundër padrejtësisë, këtu në Hagë, sot kujtoj me krenari këtë ditë të rëndësishme të historisë sonë. Po në këtë ditë, kujtojmë 28 Nëntorin e lavdishëm të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit”, ka shtuar ajo.
Mehmeti-Selimi e ka përmbyllur urimin me mesazhin: “Rroftë 28 Nëntori! Rroftë UÇK-ja! Rroftë kombi shqiptar!”.
