Lajme

Gërvalla uron 28 Nëntorin nga Boletini: Kujton figurën e Isa Boletinit dhe kontributin e tij kombëtar

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka uruar 28 Nëntorin, duke zgjedhur Boletinin, vendlindjen e Isa Boletinit, për të kujtuar figurën dhe kontributin e tij në çështjen kombëtare shqiptare.

Në një postim, Gërvalla ka rikujtuar fjalët e njohura të Isa Boletinit: „Unë jam mirë kur asht mirë Shypnija”, duke i cilësuar ato si shprehje të një ndërgjegjeje të lartë kombëtare.

Ajo ka përmendur edhe mbërritjen e Isa Boletinit në Vlorë, më 29 nëntor 1912, së bashku me qindra luftëtarë nga Kosova, në mbështetje të Qeverisë së Ismail Qemalit dhe shtetit të saposhpallur shqiptar.

„Lavdi e përjetshme Bacës Isë dhe veprës së tij kombëtare!”, ka shkruar Gërvalla në fund të postimit.

Postimi i Gërvallës:

Nga Boletini i Bacës Isë, aty ku historia shqiptare ka një prej djepave të saj të lavdishëm, në vendlindjen e burrit që ia kushtoi jetën lirisë, pavarësisë e bashkimit kombëtar.

„Unë jam mirë kur asht mirë Shypnija.” Në këto pak fjalë përjetësohet një ndërgjegje e lartë kombëtare dhe një botëkuptim në të cilin fati i atdheut ishte i pandashëm nga vetë fati i njeriut.

Isa Boletini nuk ishte vetëm njëri prej figurave që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë. Më 29 nëntor 1912, ai mbërriti në Vlorë me qindra luftëtarë nga Kosova, duke u vënë në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit dhe të shtetit të saposhpallur shqiptar. Më pas, përkrah Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, shkoi në Evropë për ta mbrojtur çështjen shqiptare dhe për të kundërshtuar copëtimin e mëtejshëm të trojeve tona.

Emri i tij i përket asaj plejade burrash që nuk e matën jetën me vitet që jetuan, por me historinë që lanë pas dhe me lirinë për të cilën u flijuan.

Lavdi e përjetshme Bacës Isë dhe veprës së tij kombëtare!

Të Ngjashme