Amir Hoxha, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, ka kërkuar falje publike ndaj Bashkim Jasharit për përdorimin e fjalës “palaço” në një koment në rrjetet sociale, ndërsa ka njoftuar edhe dorëheqjen nga kjo pozitë.
Në një reagim publik, Hoxha e ka cilësuar komentin si reagim të momentit dhe shprehje të papërshtatshme, duke marrë përgjegjësinë për fjalët e përdorura.
Ai ka theksuar se komenti ishte qëndrim personal dhe nuk përfaqësonte as subjektin politik ku bën pjesë, as institucionin që drejtonte.
Hoxha ka bërë të ditur se dorëheqjen e konsideron akt të përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke kërkuar falje nga të gjithë ata që mund të jenë ndier të fyer nga komenti i tij.
Njoftimi i tij:
SQARIM, KËRKIMFALJE PUBLIKE DHE DORËHEQJE
Lidhur me komentin tim në postimin për Bashkim Jasharin, ndiej obligim të jap një sqarim publik, të shpreh keqardhjen time për situatën e krijuar dhe të marr përgjegjësinë e plotë për fjalën e përdorur.
Përdorimi i fjalës “palaço” ishte një reagim i momentit, në kuadër të një debati, por pranoj se ishte shprehje e papërshtatshme dhe nuk përfaqëson standardin e komunikimit që duhet të karakterizojë një person me përgjegjësi publike. Për këtë arsye, kërkoj falje publike ndaj Bashkim Jasharit dhe ndaj kujtdo që është ndier i fyer apo i lënduar nga ky koment.
Dëshiroj të theksoj se komenti në fjalë ishte shprehje e një reagimi dhe qëndrimi krejtësisht personal, i cili nuk përfaqëson dhe nuk duhet të interpretohet si qëndrim politik i subjektit politik të cilit i përkas, e as si qëndrim institucional i Drejtorisë që drejtoj në Komunën e Suharekës.
Megjithatë, duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë që bart pozita ime publike dhe për rëndësinë e besimit institucional, kam vendosur që, përtej kërkimfaljes, të paraqes dorëheqjen time nga pozita e Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës.
Këtë vendim e konsideroj si një akt të përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke besuar se përgjegjësia publike nuk matet vetëm me punën dhe rezultatet e arritura, por edhe me gatishmërinë për të marrë përgjegjësi kur gabojmë.
I falënderoj bashkëpunëtorët, kolegët dhe të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar gjatë ushtrimit të kësaj detyre. Respekti për qytetarët, institucionet dhe përgjegjësitë publike mbetet parim mbi çdo debat apo mospajtim personal.
Kërkoj falje për fjalën e përdorur, marr përgjegjësinë për veprimin tim dhe besoj se dinjiteti publik fillon pikërisht aty ku njeriu është i gatshëm ta pranojë gabimin dhe të mbajë përgjegjësi për të.
