Aleanca ka reaguar ndaj humbjes së 43,8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si dëshmi të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Kosovës.
Në një reagim të publikuar në profilin zyrtar në Facebook, Aleanca ka kritikuar Qeverinë për mungesë vizioni, dijeje dhe llogaridhënieje, duke theksuar se qytetarët janë ata që po e paguajnë faturën e dështimeve qeveritare.
“Përderisa çmimet rriten çdo ditë e bizneset po mbyllin dyert, Qeveria shënon edhe një dështim të radhës, humbjen e 43.8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.
Sipas Aleancës, humbja e këtyre fondeve nuk mund të konsiderohet gabim apo vonesë burokratike, por papërgjegjshmëri dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj të ardhmes së Kosovës.
Aleanca ka kritikuar gjithashtu Qeverinë për dështimet në ekonomi, degradimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe izolimin diplomatik.
“Për fat të keq, faturën e këtij dështimi total nuk e paguajnë dështakët qeveritarë, por qytetarët e Kosovës!”
Kujtojmë, Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE), pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave që kishin afat deri në qershor të vitit 2026 si shkak i bllokadës politike.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, duke raportuar sot në Komisionin për Integrim Evropian ka thënë se nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova ka arritur t’i zbatojë shtatë ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përmbushur në afatin e përcaktuar.
Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.
Shumica e reformave të pa përmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i pa konstituuar.
Zulfaj ka paralajmëruar se deri më 31 dhjetor Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh. Sipas tij, dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga Qeveria.
