Lajme

​Presidentja Shiroka-Pula priti përfaqësues të akademive të Kosovës dhe Shqipërisë: Për thellim të bashkëpunimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim akademikët Anastas Angjeli nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, Besnik Krasniqin nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), si dhe akademikun Lulzim Tafa, anëtar të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë (ASHASH).

Gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë në fushën e shkencës, arsimit dhe zhvillimit akademik.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së iniciativave të përbashkëta, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e shkencës, promovimin e dijes dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve akademike të të dyja vendeve.

Takimi vjen në kuadër të rëndësisë që i kushtohet bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të marrëdhënieve akademike ndërmjet dy vendeve.

Të Ngjashme