Lajme

​Aligatori mbyt 71-vjeçarin në Florida

Një 71-vjeçar humbi jetën të premten gjatë një sulmi nga një aligator, ndërsa po peshkonte në një park në Winter Garden të shtetit Florida.

Shefi i policisë, Michael Mason, konfirmoi se kafsha përgjegjëse për sulmin ishte kapur dhe eutanazuar.

Ekipet e kapjes së kafshëve të egra kapën dhe eutanazuan një aligator me gjatësi gati 3,6 metra, i cili besohet të jetë përgjegjës për sulmin, raporton Fox 35 Orlando.

Komisioni për Ruajtjen e Peshqve dhe Kafshëve të Egra në Florida (FWC) e identifikoi viktimën si Steven Hamilton nga Winter Garden.

Komandanti i zjarrfikësve, Jose Gainza, deklaroi se ekipet e shpëtimit u përpoqën ta nxirrnin burrin nga uji, por operacioni u vështirësua nga prania e aligatorëve të tjerë aty pranë. Trupi u gjet vetëm rreth orës 19:00 sipas kohës lokale.

Parku Përkujtimor “Dr. Bradford”, ku ndodhi incidenti, ndodhet përgjatë brigjeve të liqenit Apopka. Sipas të dhënave zyrtare, ky liqen strehon një nga popullatat më të mëdha të aligatorëve amerikanë në Floridën Qendrore.

FWC mban regjistrime për sulmet e paprovokuara që nga viti 1948. Qe atëherë janë regjistruar 500 raste kafshimi, 32 prej të cilave kanë qenë fatale.

Gjatë vitit 2025 u regjistruan 13 kafshime, dy prej të cilave ishin fatale. Në vitin 2024 pati 11 kafshime pa viktima, ndërsa në vitin 2023 u regjistruan 23 kafshime dhe dy vdekje. Në vitin 2022 pati 11 kafshime dhe dy vdekje, kurse në vitin 2021, nëntë kafshime pa pasoja fatale.

Të Ngjashme