Ambasada Britanike në Prishtinë ka kujtuar se më 12 qershor të vitit 1999, ndërhyrja e NATO-s ndaloi katastrofën humanitare që po ndodhte në Kosovë.
Si dhe ka kujtuar personelin që ka shërbyer për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Në këtë ditë, 12 qershor, kujtohet ndërhyrja jetike e forcave të NATO-s në vitin 1999 për të ndalur katastrofën humanitare që po zhvillohej në Kosovë, si dhe burrat dhe gratë që kanë shërbyer dhe në disa raste kanë humbur jetën për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se ata nderohen dhe se mbetet përkushtimi për vazhdimin e mbështetjes ndaj Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me synim një zgjidhje të qëndrueshme politike në Kosovë dhe rajon.
Ndërkohë, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian janë pritur nga komandanti i KFOR-it, gjeneral Özkan Ulutaş.
