Me rastin e shënimit të 80-vjetorit të Ditës së Republikës së Italisë, në Prishtinë u mbajt një ceremoni solemne ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, diplomatë, pjesëtarë të KFOR-it, personalitete të jetës kulturore dhe mysafirë të shumtë.
Në këtë ceremoni, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se Italia dhe Kosova ndajnë ideale të përbashkëta të lirisë, stabilitetit, paqes dhe përparimit shoqëror.
Ai vlerësoi progresin demokratik të Kosovës dhe ritheksoi mbështetjen e Italisë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në ceremoni foli edhe presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila vlerësoi rolin e Italisë në mbështetjen e Kosovës dhe miqësinë e ndërtuar ndër vite mes dy popujve.
Ajo përcolli urimet e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për popullin italian, duke shprehur besimin se bashkëpunimi dhe miqësia ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen në të ardhmen.
Ceremonia u shoqërua me program kulturor e artistik, përfshirë performacën e artistes Rona Nishliu dhe sopranos Arta Jashari, si dhe me prezantime të gastronomisë italiane, duke reflektuar lidhjet e forta kulturore dhe diplomatike ndërmjet Italisë dhe Kosovës.
