Lajme

​Ambasadori i BE-së Schuebel fton kryetarët e veriut të bashkëpunojnë me nivelin qendror

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka takuar, kryetarët e 4 komunave veriore dhe kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ndarazi, të mërkurën.

Ai, fillimisht, tregoi se për çfarë foli me katërshen e serbëve, me të cilët u pa edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.

“Diskutuam për sfidat që ndikojnë në aftësinë e komunave për t’u ofruar shërbime qytetarëve, si dhe për nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, gjë që do të kontribuonte në integrimin e Kosovës në BE”, shkroi ai në rrjetin X.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e qeverisjes demokratike lokale në mbarë Kosovën”.

Schuebel njoftoi gjithashtu se edhe në takimin e tij të parë me Pecin, diskutuan forcimin e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal.

“Shumica e reformave që lidhen me BE-në zbatohen në nivel komunal”, theksoi ambasadori. “BE-ja është këtu për të mbështetur zhvillimin lokal dhe përparimin në mbarë vendin.“

Të Ngjashme