Një 44-vjeçar është arrestuar në Korçë pasi, duke drejtuar një ambulancë në gjendje të dehur, ka përplasur një të moshuar që po lëvizte me biçikletë pranë bibliotekës së qytetit.
I moshuari mbeti i dëmtuar dhe u transportua në spital, ku mori ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve të para, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas përplasjes, drejtuesi i ambulancës e transportoi vetë të dëmtuarin në spital.
Policia i kreu testin e alkoolit drejtuesit, E.Q., rreth 44 vjeç, dhe rezultati konfirmoi se ishte nën efektin e alkoolit. Ai u arrestua dhe akuzohet për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur dhe shkaktimin e aksidentit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së aksidentit.
