Zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës kanë rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet brenda Lidhja Demokratike e Kosovës dhe raportet e saj me aktorë të tjerë politikë.
Marrëveshja e arritur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me Partia Demokratike e Kosovës ka nxitur reagime të menjëhershme nga drejtuesit e LDK-së, të cilët kanë mohuar çdo përfshirje në këtë bashkëpunim.
Përmes një komunikate për media, LDK ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në këtë koalicion, duke theksuar se nuk ka qenë pjesë e asnjë procesi ndërpartiak që do të çonte në një marrëveshje të tillë.
“LDK nuk ka marrë pjesë dhe nuk është përfshirë në asnjë formë në arritjen e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi”, thuhet në reagimin zyrtar të partisë.
Ky qëndrim vjen në kohën kur zhvillimet në Komunën e Prishtinës kanë nxitur debat politik rreth natyrës së bashkëpunimit ndërmjet kryetarit Rama dhe PDK-së, duke hapur dilema për raportet e brendshme dhe qëndrimet politike brenda LDK-së.
LDK ka ritheksuar se qëndrimet e saj politike mbeten të pandryshuara dhe se çdo vendimmarrje e rëndësishme kalon përmes strukturave të saj partiake.
Por, nga pala tjetër kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi për bashkëpunimin e ri politik me PDK.
“Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike”, kishte shkruar ndër tjera Rama.
Ky zhvillim ka hapur debat mbi kohezionin e brendshëm të partisë dhe ka ngritur pikëpyetje rreth marrëdhënies mes Ramës dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Tahiraj: Këto janë vazhdimësi e gabimeve të lidershipit të LDK-së, i cili po promovon persona që nuk kanë lidhje organike me partinë
Veprimtari Saim Tahiraj, në një përgjigje për “Bota sot”, kritikon Përparim Ramën dhe LDK-në, duke thënë se Rama nuk është anëtar i partisë dhe për këtë arsye ka vepruar pa e konsultuar atë, përfshirë afrimin me PDK.

Saim Tahiraj
Ai shton se, LDK po promovon figura që nuk kanë lidhje reale me partinë, gjë që po zhgënjen anëtarësinë dhe po ul pjesëmarrjen në votime.
“Fillimisht duhet ta kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme: Përparim Rama asnjëherë nuk ka thënë se është anëtar i LDK-së, por ka garuar përmes saj. Duke u nisur nga ky fakt, nuk befasohem aspak që ka arritur koalicion me PDK-në pa e pyetur kryesinë qendrore. Pse ta pyesë, kur nuk është anëtar i LDK-së?
Nëse i shohim lëvizjet e kohëve të fundit të Përparimit, vërejmë qartë një përafrim me PDK-në. Kujtojmë pjesëmarrjen e tij në protestat në Tiranë dhe Prishtinë kundër Gjykatës Speciale. Këto janë vazhdimësi e gabimeve të lidershipit të LDK-së, i cili po promovon persona që nuk kanë lidhje organike me partinë. A thua se LDK nuk ka kuadro dhe personalitete autoritative që mund ta fitojnë garën në Prishtinë?
E njëjta logjikë është ndjekur edhe në kryesinë qendrore, ku janë inkuadruar figura pa lidhje reale me LDK-në. Me këto veprime po irritohet anëtarësia besnike, e cila nga zhgënjimi po tërhiqet dhe nuk del fare në votime.
Nga ky vendim vetjak i Përparim Ramës, nuk pritet që LDK të ketë ndonjë reflektim të madh negativ në anëtarësi, pikërisht sepse kemi të bëjmë me një person që nuk është pjesë e saj. Ajo që duhet të jetë e rëndësishme nga ky rast është që LDK të nxjerrë mësime dhe të mos vazhdojë me gabime të tilla—nëse vërtet dëshiron të ndryshojë dhe të mos përsërisë të njëjtin model si më parë”, tha ai.
Makolli: Nëse Vjosa Osmani bëhet pjesë apo i prin listës së LDK-së, ekziston rreziku që kjo parti të pësojë rënie në përqindje

Vesel Makolli
Derisa edhe analisti politik, Vesel Makolli kritikon LDK-në për mungesë uniteti të brendshëm, duke thënë se ai nuk arrihet me përfshirjen e figurave si Vjosa Osmani apo më herët Fatmir Limaj, por me rikthimin dhe rehabilitimin e kuadrove të anashkaluara.
Ai thekson se rikthimi i Osmanit në krye të listës ka shkaktuar pakënaqësi në parti dhe përmend tensione të fshehta mes Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama, të cilat sipas tij u reflektuan në ndryshimet në komunë dhe afrimin me PDK-në.
“LDK-ja, si parti e djathtë dhe me traditën më të madhe institucionale, ka nevojë për një homogjenitet të brendshëm, i cili duhet të arrihet me vepra e jo vetëm me fjalë. Ky homogjenitet nuk arrihet me përfshirjen në listën zgjedhore të Fatmir Limajt, siç u tentua në zgjedhjet e mëparshme, apo me Vjosa Osmanin, siç po tentohet tani. Ai arrihet kur u hapet dera dhe rehabilitohen të gjithë ata që e kundërshtuan Vjosa Osmanin në kohën kur ajo, i ndihmoi VV-së në bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kërkuara nga aleatët tanë dhe NATO; të cilët më pas, në mënyra të ndryshme dhe përmes insinuatave, u larguan apo u anashkaluan nga degët ose nga kryesia qendrore e LDK-së dhe nga losta zgjedhore.
Kthimi i Vjosa Osmanit, e cila me veprimet e saj politike e kishte dëmtuar ndjeshëm partinë, dhe vendosja e saj në krye të listës zgjedhore të LDK-së – e paralajmëruar në mënyrë të tërthortë gjatë deklarimeve të Abdixhikut për media – ka krijuar pakënaqësi dhe kundërshti si në mesin e kuadrove të partisë, ashtu edhe te anëtarësia në përgjithësi.
Ajo që flitej para disa ditësh në koluare, gjoja për një përçarje mes kryetarit të LDK-së, Abdixhiku, dhe kryetarit të Prishtinës, Rama, e që u demantua menjëherë zyrtarisht, u vërtetua në praktikë me veprimet e ndërmarra nga kryetari i Prishtinës: ndryshimet kuadrovike, përkatësisht largimi i drejtorëve komunalë që vinin nga LDK dhe emërimi i të rinjve nga radhët e PDK-së. Këtij koalicioni lokal iu vu vula sot me caktimin e nënkryetares së Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, gjë që u bë e ditur nga vetë Rama”, shprehet ai.
Tutje, Makolli thotë se LDK-ja është e përçarë dhe këtë e dëshmon edhe mungesa e një koalicioni të qartë në Prishtinë.
Ai sugjeron që Vjosa Osmani do të duhej të kandidonte me “Guxo” ose me listë të vetën, sepse sipas tij kjo do ta ndihmonte opozitën dhe do të shmangte bllokadat institucionale.
Sipas tij, nëse Osmani hyn në listën e LDK-së, partia mund të humbasë vota dhe të përfitojë Lëvizja Vetëvendosje. Ai shton se LDK do të forcohej vetëm nëse arrin marrëveshje dhe unitet të brendshëm me figura si Përparim Rama dhe strukturat e saj.
“Ndërkohë, përçarjen brenda LDK-së e dëshmoi edhe njoftimi zyrtar i kësaj partie, në të cilin thuhej se LDK nuk ka koalicion zyrtar në nivel lokal në Prishtinë.
Në situatën aktuale politike në vend dhe me bllokadën që po zgjat tash e një vit e gjysmë, do të ishte më e shëndoshë që Vjosa Osmani të kandidojë në zgjedhje me ish-partinë e saj, “Guxo”, ose me një listë të vetën. Kjo do të mund t’i ringjallte shpresat e opozitës që, e bashkuar, të dalë fituese në këto zgjedhje dhe të evitohet një bllokadë e ardhshme institucionale.
Në të kundërtën, nëse Vjosa Osmani bëhet pjesë apo i prin listës së LDK-së, ekziston rreziku që kjo parti të pësojë rënie në përqindje. Një zhvillim i tillë do ta favorizonte VV-në, e cila mund të përfitojë nga votat që do të rridhnin drejt saj nga anëtarësia e pakënaqur e LDK-së, duke dalë edhe një herë fituese e përgjithshme e zgjedhjeve.
LDK-ja, përkatësisht kryetari i saj, do të mund ta rrisë dukshëm përqindjen e votave nëse urgjentisht gjen gjuhë të përbashkët dhe bën kompromise me kryetarin e Prishtinës, Rama, si dhe me ata militantë të partisë që, në kohët më të vështira, kanë sakrifikuar gjithçka për LDK-në dhe shtetësinë e Kosovës dhe të cilet kanë shumë ndikim te elektorati i përkrahësve te LDK-ës.
Uniteti dhe homogjeniteti i LDK-së do të ishin krucialë për krijimin e institucioneve paszgjedhore, të cilat do ta shtynin përpara procesin e finalizimit të shtetësisë së Kosovës”, përfundon ai për gazetën.
