Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë në zgjedhjet e nesërme dhe të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17.
Përmes një postimi, Haxhiu ka vlerësuar bashkimin e partive shqiptare në një listë të vetme, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit politik dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Ajo u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Kosovë, por që kanë të drejtë vote, të udhëtojnë për të marrë pjesë në zgjedhje.
Postimi i plotë:
Nesër është një ditë e rëndësishme për Luginën. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të votojnë për përfaqësuesit e tyre në parlament.
Partitë shqiptare atje tashmë e kanë bërë punën e tyre, duke vendosur të garojnë bashkë, me një listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”. Tani është radha e qytetarëve në Luginë ta mbështesin fuqishëm këtë bashkim.
Kosova i ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet në Luginë. Përfaqësimi politik i shqiptarëve atje, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe ngritja e zërit për çdo padrejtësi që u bëhet mbeten gjithmonë të rëndësishme për ne.
Prandaj, i ftoj të gjithë shqiptarët e Luginës që nesër të dalin e ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Edhe ata që jetojnë e punojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote, i inkurajoj të udhëtojnë për atje e të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Nesër, zëri i Luginës dëgjohet përmes fletëvotimit, me votën për numrin 17, “Koalicionin Shqiptar”.
Luginë, Kosova është me ty!
