Lajme

​Demokratët Evropianë: Ekziston mundësia që individë të lidhur me SNS të nxisin konflikte

Partia Demokratike Evropiane (EDP) paralajmëroi sot për mundësinë që individë të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të nxisin konflikte sonte në Serbi, në kohën kur priten të dalin projeksionet fillestare të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

Në një deklaratë të nënshkruar nga Alessio De Giorgi, këshilltar për komunikim strategjik i EDP-së, kjo parti politike evropiane i bëri thirrje policisë të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbrojtur votuesit, kandidatët, studentët dhe vëzhguesit.

“Studentët duan zgjedhje të lira dhe paqësore, ku rezultatet të përcaktohen nga votuesit. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja në votime, aq më i madh është frika e Vuçiq nga humbja – dhe, rrjedhimisht, aq më i lartë është rreziku i provokimeve të qëllimshme,” thuhet në deklaratë.

EDP vlerëson se Aleksandar Vuçiq dhe qeveria e tij kanë lejuar krijimin e një atmosfere frikësimi dhe dhune, dhe u ka bërë thirrje atyre që të parandalojnë një përshkallëzim të mëtejshëm.

Në deklaratë theksohet se Vuçiq duhet të mbajë përgjegjësi nëse grupe të lidhura me SNS-në angazhohen për të nxitur konflikte.

“E ardhmja e Serbisë duhet të vendoset përmes votave, kurrë përmes dhunës,” deklaroi Partia Demokratike Evropiane

Të Ngjashme