Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nxitur shqetësime për raportet e vendit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian, i cili ka kërkuar respektimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe pavarësisë së Gjykatës Speciale.
Në këtë situatë, zërat kritikë vlerësojnë se këmbëngulja për ndryshime ligjore pa konsultime paraprake dhe pa adresimin e shqetësimeve të Brukselit mund të sjellë pasoja politike e institucionale, të dobësojë besimin e aleatëve dhe të vështirësojë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Njëkohësisht, theksohet se mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe e të drejtave themelore duhet të shkojë paralelisht me respektimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.
Qarri pretendon se grupi më ekstrem brenda PDK-së po e shfrytëzon çështjen e Gjykatës Speciale për të forcuar kontrollin brenda partisë dhe për të luftuar kundërshtarët politikë
Analisti dhe veprimtari Gani Qarri ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke pretenduar se, përtej synimit për kufizimin e mandatit të kësaj gjykate, çështja po përdoret edhe për përplasje të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas Qarrit, një grup brenda kësaj partie po e shndërron ligjin në instrument për qërimin e hesapeve me figura të padëshiruara dhe për vazhdimin e kundërshtimit të qeverisë përmes një forme tjetër të përballjes politike.
“Me rikthimin e ligjit të Speciales në Kuvend duket se, përveç qëllimit për t’ia kufizuar mandatin Gjykatës Speciale, ai po keqpërdoret nga grupi më ekstrem brenda subjektit politik të PDK-së, edhe si mjet lufte për qërimin e hesapeve me elementë të padëshirueshëm brenda partisë dhe vazhdimin e kundërshtimit të qeverisë në mënyrë tjetër”, shprehet Qarri për ‘Bota sot’.

Analisti dhe veprimtari Gani Qarri
Ai vlerëson se ndryshimet e miratuara nuk mund të prodhojnë rezultatin që, sipas tij, po u prezantohet qytetarëve, pasi nuk mund të garantojnë lirimin e të dënuarve në Hagë apo ndryshimin e vendimeve gjyqësore.
“PDK-ja e di mirë që me këtë ligj nuk mund të lirohen të dënuarit, as të ndryshohet vërtet vendimi në Hagë”, deklaron Qarri.
Ai pretendon se përmes kësaj çështjeje po synohet edhe forcimi i kontrollit mbi strukturat e PDK-së dhe dobësimi i fraksioneve që nuk e kanë bazën e tyre politike në Drenicë.
“Pas Bedri Hamzës, elementët destruktivë brenda PDK-së po i luftojnë edhe emrat e tjerë të padëshirueshëm në parti”, shprehet ai, duke shtuar se kjo mënyrë veprimi, sipas vlerësimit të tij, po e shndërron ligjin në instrument të përplasjeve të brendshme partiake.
Qarri kritikon gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është arritur miratimi i ligjit në Kuvend më 6 tetor, duke pretenduar se procesi është zhvilluar nën presionin e protestave. Ai thotë se qytetarët që dolën në rrugë në mbështetje të ndryshimeve nuk duhet të keqinformohen për efektet reale që mund të ketë ligji.
Ligji për Dhomat e Specializuara, i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor, synon ndryshime që prekin juridiksionin e gjykatës, periudhën kohore të veprave që mund të trajtohen, dënimet dhe mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar. Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e ka kthyer ligjin në Kuvend për rishqyrtim.
Sipas Qarrit, këto ndryshime ngrenë çështje serioze juridike, pasi duhet të vlerësohen në raport me Kushtetutën e Kosovës dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Ai thekson se Dhomat e Specializuara janë krijuar mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, të një ligji të veçantë dhe të zotimeve ndërkombëtare të Kosovës, prandaj ndryshimet që prekin mandatin e tyre nuk mund të trajtohen vetëm si çështje e zakonshme legjislative.
“Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, me ligj të veçantë dhe zotime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, thekson Qarri.
Ai i referohet edhe marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Dhomat e Specializuara, duke argumentuar se ajo nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme përmes një ligji vendor.
Sipas tij, çdo ndryshim që prek këtë marrëveshje duhet të bëhet në përputhje me procedurat përkatëse dhe me pëlqimin e palëve.
Një pjesë të rëndësishme të kritikave të tij, Qarri ia kushton reagimit të Bashkimit Evropian ndaj ndryshimeve ligjore. Ai thekson se BE-ja ka shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm të tyre në detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe në pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Qarri rikujton se BE-ja e ka mirëpritur vendimin e presidentes për kthimin e ligjit në Kuvend dhe ka shprehur pritjen që të konsultohet nëse diskutimet për këtë çështje rifillojnë.
Ai përmend edhe përpjekjet e vitit 2020 për ndryshimin e nenit 162 të Kushtetutës, që përcakton bazën kushtetuese të Dhomave të Specializuara. Sipas tij, atëherë propozimet ishin shqyrtuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e cila kishte konstatuar se amendamentet e propozuara do të cenonin të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë kontekst, Qarri vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të kenë parasysh kufizimet kushtetuese dhe detyrimet ndërkombëtare përpara se të ndërmarrin hapa të tjerë lidhur me ligjin.
“Nëse, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga Brukseli, Kuvendi këmbëngul në ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kosova rrezikon seriozisht të përballet me pasoja të rënda politike dhe institucionale në raport me Bashkimin Evropian, SHBA-të dhe faktorin ndërkombëtar”, paralajmëron Qarri.
Në përfundim, ai thekson se çështja e Gjykatës Speciale nuk duhet të përdoret për përplasje të brendshme partiake dhe se çdo nismë ligjore duhet të vlerësohet në bazë të efektit real juridik, Kushtetutës dhe detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës.
Lushaj kërkon konsultime me Bashkimin Evropian dhe ekspertë të pavarur juridikë, duke vlerësuar se këmbëngulja për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara pa trajtuar shqetësimet e Brukselit mund të dobësojë besimin politik dhe të vështirësojë proceset integruese të Kosovës
Poashtu edhe veprimtari dhe analisti Adem Lushaj ka vlerësuar se Kosova mund të përballet me pasoja politike dhe institucionale në raport me Bashkimin Evropian, nëse Kuvendi këmbëngul në ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara pa konsultime paraprake dhe pa i trajtuar seriozisht shqetësimet e shprehura nga Brukseli.
Sipas Lushajt, çështja kërkon maturi dhe përgjegjësi institucionale, pasi vendimet e Kuvendit duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Adem Lushaj
Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime lidhur me ndryshimet e miratuara më 6 tetor 2026, duke kërkuar respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara.
“Megjithatë, kjo çështje duhet të trajtohet me maturi, përgjegjësi institucionale dhe argumente juridike. Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të shqyrtojë legjislacionin, por ushtrimi i kësaj të drejte duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit”, ka deklaruar Lushaj për ‘Bota sot’.
Ai ka nënvizuar se kërkesa për drejtësi dhe respektimin e të drejtave themelore, si dhe mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk duhet të çojnë në një përplasje të panevojshme me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, këmbëngulja për ndryshime ligjore pa konsultim dhe pa adresimin e shqetësimeve të BE-së mund të ndikojë në dobësimin e besimit politik, vështirësimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe ngadalësimin e proceseve të integrimit të Kosovës.
Megjithatë, Lushaj ka bërë dallimin mes rreziqeve të mundshme dhe masave konkrete, duke theksuar se pasojat nuk mund të konsiderohen të sigurta apo automatike, pasi ato varen nga zhvillimet e mëtejshme dhe reagimi i institucioneve evropiane.
Për këtë arsye, ai vlerëson se nëse Kuvendi vendos t’i rihapë diskutimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara, duhet të zhvillojë konsultime me Bashkimin Evropian dhe ekspertë të pavarur juridikë, me qëllim që të shqyrtohen me kujdes dispozitat që mund të ngrenë shqetësime kushtetuese ose ndërkombëtare.
“Kosova duhet ta mbrojë dinjitetin e luftës së saj çlirimtare, të drejtat e qytetarëve dhe interesat e saj shtetërore, por njëkohësisht duhet ta ruajë partneritetin me aleatët ndërkombëtarë. Këto objektiva nuk duhet të trajtohen si të papajtueshme”, ka përfunduar Lushaj.
