Lajme

Analistët zbulojnë prapaskenat e afrimit Limaj–PDK dhe rolin e “gardës së vjetër”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se kreu i Nismës, Fatmir Limaj, do ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit.

Hamza tha se bashkëpunimi dhe mbështetja nga figura të rëndësishme politike janë të mirëpritura.

Deklarata e tij erdhi në një kohë kur në skenën politike po flitet për afrime dhe koordinime mes partive opozitare para zgjedhjeve të ardhshme.

Pas arritjes së bashkëpunimit me PDK-në, Limaj mori pjesë edhe në tubimin hapës të kësaj partie, i cili u mbajt mbrëmë në Ferizaj.

Kreu i Nismës po e shpreh mbështetjen për PDK-në edhe përmes postimeve në rrjetet sociale. Në një reagim të publikuar sot, ai tha se të bashkuar dhe të fuqizuar do të ecin drejt fitores.

“Më 7 qershor, qytetarët kanë mundësinë t’i thonë STOP krizës dhe t’i hapin rrugë një kapitulli të ri për Kosovën”, ka shkruar Limaj.

Gacaferi: Për besë kjo deklaratë shpjegohet si një nënshtrim pa kushte i “Çelikut” karshi “plastikës”

Image
Luan Gacaferi

Anëtari i Guxo, Luan Gacaferi në një përgjigje për “Bota sot”, ironizoi deklaratën e Hamzës, duke e quajtur “nënshtrim të çelikut ndaj plastikës”.

“Për besë kjo deklaratë shpjegohet si një nënshtrim pa kushte i “Çelikut” karshi “plastikës”!

Unë nuk po arrij me kuptu se si mund të jetë dikush i mirë për ty e që nuk të do ty në radhët e veta”, u shpreh ai.

Kujtojmë se, vetëm pak kohë para se të konfirmohet kjo mbështetje e Limajt për PDK-në, kjo parti refuzoi kërkesën që Nisma t’i bashkohet listës zgjedhore me në krye me Bedri Hamzën.

Jakupi: Nëse opozita nuk arrin të ndërtojë një front të përbashkët politik dhe elektoral, me koordinim të qartë dhe vizion të unifikuar, atëherë vota opozitare rrezikon të mbetet e fragmentuar

Image
Zejnullah Jakupi

Kurse, analisti politik, Zejnullah Jakupi në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se mbështetja e Fatmir Limajt për Partinë Demokratike të Kosovës është një “afrim pa bashkim formal”, ku PDK përfiton politikisht pa hyrë në obligime koalicioni, ndërsa Limaj synon të ruajë ndikimin dhe të mbetet faktor në skenën opozitare. 

“Vendimi që Fatmir Limaj ta mbështesë PDK-në, menjëherë pas refuzimit të një koalicioni formal me Nismën, mund të lexohet në disa nivele politike.

Së pari, kjo tregon se PDK ka dashur të shmangë koston elektorale dhe politike të një koalicioni parazgjedhor formal, por pa e mbyllur derën për bashkëpunim praktik me Limajn. Një koalicion zyrtar do të sillte negociata për lista, poste dhe balanca të brendshme, ndërsa një mbështetje politike nga Limaj i jep PDK-së përfitim elektoral pa hyrë në obligime të drejtpërdrejta. Pra, kemi një formulë “afrim pa bashkim formal”.

Së dyti, për vetë Limajn kjo lëvizje mund të interpretohet si përpjekje për të ruajtur relevancën politike dhe për të mos mbetur i izoluar. Nisma ka pasur rënie të ndikimit në vitet e fundit, ndërsa afrimi me PDK-në e rikthen Limajn në qendër të zhvillimeve politike dhe e pozicionon si faktor në kampin opozitar”, thotë ai.

Tutje, Jakupi thotë se afrimi mes Fatmir Limajt dhe PDK-së është ndikuar edhe nga figura të vjetra si Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci. 

Sipas tij, kjo lëvizje është pragmatike: PDK synon konsolidimin e votës opozitare, ndërsa Limaj rikthimin në skenën kryesore politike, edhe pse mund të sjellë tensione brenda partisë.

“Sa i përket rolit të figurave si Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci, është e besueshme që “garda e vjetër” e PDK-së të ketë ndikuar në këtë afrim. Ata kanë pasur tradicionalisht raporte më të afërta me Fatmir Limaj, të ndërtuara që nga periudha e luftës dhe strukturat e dikurshme të UÇK-së. Brenda PDK-së ekziston ende një krah që e sheh Limajn më shumë si aleat natyral sesa si rival politik. Kjo e bën më të lehtë një koordinim informal, edhe kur nuk ka marrëveshje zyrtare.

Në anën tjetër, ky afrim mund të krijojë pakënaqësi te një pjesë e strukturave të PDK-së, sidomos te figura ose grupe që kanë qenë skeptike ndaj Limajt pas ndarjeve të mëhershme politike. Disa mund ta shohin si kthim prapa ose si rikthim të ndikimit të figurave të vjetra brenda partisë. Megjithatë, Bedri Hamza duket se po përpiqet të balancojë dy objektiva: zgjerimin e frontit opozitar dhe ruajtjen e kontrollit mbi partinë. Nëse kjo afërsi mbetet vetëm bashkëpunim elektoral, tensionet mund të menaxhohen; por nëse shndërrohet në marrëveshje më të thellë politike apo ndarje ndikimi, atëherë mund të hapen debate të brendshme në PDK.

Në thelb, kjo lëvizje duket më shumë pragmatike sesa emocionale apo ideologjike: PDK kërkon konsolidim të votës opozitare, ndërsa Limaj kërkon rikthim në lojën kryesore politike”, potencon ai.

Në përfundim, ai potencoi se afrimi i Limajt me PDK-në mund ta forcojë opozitën në zgjedhjet e 7 shtatorit, por thekson se pa një front të përbashkët dhe alternativë serioze qeverisëse, vota opozitare rrezikon të mbetet e fragmentuar.

“Afrimi i Fatmir Limajt me PDK-në shihet si një lëvizje strategjike për konsolidimin e votës opozitare, sidomos në një kohë kur Nisma vështirë se do ta kishte të sigurt kalimin e pragut si subjekt i vetëm. Kjo mund ta forcojë PDK-në numerikisht në zgjedhjet e 7 shtatorit, por vetëm bashkimi parcial nuk mjafton për ndryshim pushteti.

Nëse opozita nuk arrin të ndërtojë një front të përbashkët politik dhe elektoral, me koordinim të qartë dhe vizion të unifikuar, atëherë vota opozitare rrezikon të mbetet e fragmentuar. Në rrethana të tilla, pushteti aktual mbetet i favorizuar, pavarësisht pakënaqësive që mund të ekzistojnë në elektorat.

Qytetarët sot kërkojnë më shumë sesa kalkulime politike; ata presin seriozitet, bashkëpunim dhe një alternativë të besueshme qeverisëse” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme