Lajme

“Antiamerikanizmi” ndaj Kurtit si armë elektorale, Bytyçi: Koha tregoi të kundërtën

Profesori Enver Bytyçi ka deklaruar se opozita në Kosovë ka vazhduar ta ndërtojë fushatën e saj elektorale mbi akuzat për “antiamerikanizmin” e kryeministrit Albin Kurti, në vend që të ofrojë alternativa dhe programe zhvillimi për qytetarët.

Sipas tij, gara për t’u paraqitur si më pro-amerikan nuk përbën alternativë politike për votuesit.

“Nuk besoj se gjendet ndonjë shqiptar që nuk ia do të mirën SHBA-ve ose që nuk është mirënjohës për gjithçka ato kanë bërë për lirinë e Kosovës”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka vlerësuar se Kurti solli një qasje të re në raportet me Uashingtonin, duke vendosur komunikim të bazuar në debat dhe diskutim për interesat e Kosovës.

Sipas Bytyçit, para ardhjes së Kurtit në pushtet kishte një kulturë politike ku rekomandimet e diplomatëve të huaj pranoheshin pa kundërshtime, ndërsa kryeministri aktual vendosi një standard të ri në komunikimin me aleatët ndërkombëtarë.

“Kurti vendosi një standard të ri. Standard që në fillim solli keqkuptime dhe mosmarrëveshje me disa diplomatë amerikanë për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj Serbisë”, është shprehur ai.

Image
Enver Bytyçi

Profesori ka theksuar se zhvillimet e mëvonshme treguan, sipas tij, se shqetësimet e Kurtit për presidentin serb Aleksandar Vuçiq rezultuan të bazuara.

Ai është ndalur edhe te veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, duke argumentuar se Kurti nuk pranoi të ndalte përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit dhe zbatimin e ligjit.

“Kurti thoshte se po zbatonte ligjin dhe nuk u tërhoq nga përpjekjet për të çmontuar institucionet e Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar Bytyçi.

Sipas tij, opozita i ka besuar më shumë kritikëve ndërkombëtarë të Kurtit sesa rezultateve të politikave të tij dhe ka vazhduar ta akuzojë atë për qëndrime antiamerikane.

Bytyçi ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se Kurti ka refuzuar investimet amerikane në Kosovë, duke theksuar se situata ka qenë më komplekse dhe e lidhur me klimën politike të kohës.

“Kurti nuk është kundër investimeve amerikane. Përkundrazi, ai bën diplomaci të drejtpërdrejtë, e cila është shprehje e sinqeritetit dhe transparencës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Profesori ka vlerësuar se marrëdhëniet e qëndrueshme ndërtohen mbi komunikim të hapur dhe të sinqertë ndërmjet partnerëve strategjikë.

Ai ka shtuar se kritikat ndaj Kurtit shpesh anashkalojnë sukseset në fushën e sigurisë, përfshirë luftimin e grupeve kriminale dhe terroriste në veri të vendit.

Në fund, Bytyçi ka shprehur bindjen se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve do të forcohen edhe më tej pas zgjedhjeve.

“Amerikanët nuk kanë paragjykime se me kë punojnë. Mjafton që marrëdhënia të jetë e sinqertë, e qëndrueshme dhe pa hile. Këtë e garanton qeveria e re e zotit Kurti edhe në të ardhmen”, ka përfunduar Bytyçi.

Të Ngjashme