Lajme

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj 15 të akuzuarve në rastin “Ukë Rugova II”

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në rigjykim, më 29 tetor 2024, kishte liruar 15 të akuzuarit për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë, në gjykimin për mashtrim me viza në rastin e njohur si “Ukë Rugova II”.

Në këtë rast të akuzuar ishin: Fitim Beqiri, Azad Beqiri, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj atij të Themelores ka paraqitur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me propozim që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Përgjigje ndaj ankesës së PSRK-së kanë paraqitur mbrojtësi i Azad Beqirit, avokati Nexhat Xharra, dhe mbrojtësi i Edison Idrizajt, avokati Feim Alaj, duke propozuar që ankesa të refuzohet si e pabazuar. Ndërkaq, Prokuroria e Apelit ka propozuar që përgjigjet ndaj ankesës të paraqitura nga Alaj dhe Xharra të refuzohen, ndërsa ankesa e PSRK-së të aprovohet si e bazuar.

Në vendimin e Apelit thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e PSRK-së për shkelje të Ligjit Penal, pasi që as vetë Prokuroria nuk ka specifikuar ndonjë dispozitë të Kodit të Procedurës Penale që është shkelur nga gjykata e shkallës së parë.

Më tej, sipas vendimit, nuk qëndrojnë as pretendimet e PSRK-së për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, pasi nga ankesa vërehet se më shumë bëhet fjalë për mospajtim të Prokurorisë me konkluzionet e nxjerra nga gjykata e shkallës së parë, e cila kishte konstatuar se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.

Sipas vendimit, bashkimi i strukturuar në veprën penale të krimit të organizuar kërkon që anëtarët të mos jenë të përfshirë rastësisht në veprimtari të tilla, por nuk kërkon rol formal në strukturë, vazhdimësi të anëtarësisë apo një strukturë të ndërtuar në mënyrë të veçantë.

Po ashtu, sipas Apelit, në vështrim të këtyre elementeve për të cilat ngarkoheshin të akuzuarit, rezulton se gjykata e shkallës së parë ka konstatuar se nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin, bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Gjithashtu, sipas vendimit të Apelit, në këtë çështje penale nuk është vërtetuar fakti se të akuzuarit kanë shitur apo falsifikuar viza Shengen për persona të caktuar. Po ashtu, nuk është provuar se ata janë organizuar, drejtuar, themeluar, mbikëqyrur apo koordinuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri si grup kriminal me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Në vendim thuhet gjithashtu se nga dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve është vërtetuar fakti se vizat ishin të vërteta dhe valide, të vendosura në dokumente të rregullta udhëtimi – pasaporta të vlefshme. Dëshmitarët kishin kaluar kufijtë me ato viza dhe asnjëri prej tyre nuk ishte ndaluar, gjë që do të tregonte se ndonjë nga dokumentet, qoftë viza apo pasaporta e aplikuesve dhe përfituesve të vizave, ishte e falsifikuar.

Të Ngjashme