Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Horoskopi

Arabia Saudite bën thirrje për krijimin e Palestinës sipas kufijve të 1967-s

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka bërë thirrje për krijimin e një shteti palestinez sipas kufijve të vitit 1967.

Duke folur për luftën e vazhdueshme mes Izraelit dhe Hamasit, Mohammed bin Salman ka thënë se civilët e pafajshëm po paguajnë për përshkallëzimin e dhunës.

Ai ka thënë se Arabia Saudite kundërshton shënjestrimin e civilëve dhe thekson rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar humanitar, si dhe nevojën për të ndaluar “operacionet ushtarake kundër civilëve dhe infrastrukturës që prek jetën e tyre të përditshme”.

“Duhet të krijohen kushte për kthimin e stabilitetit dhe arritjen e paqes së qëndrueshme që do të sigurojë zgjidhje të drejtë për krijimin e një shteti palestinez brenda kufijve të vitit 1967 për të arritur sigurinë dhe prosperitetin për të gjithë”, ka thënë Princi Salman.

Një dokument i Hamasit i vitit 2017 sugjeroi mundësinë e përqafimit të idesë së një shteti palestinez në territoret e pushtuara nga Izraeli në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967.

Izraeli e ka refuzuar vazhdimisht kërkesën dhe kryeministri Benjamin Netanyahu ka përsëritur se Izraeli nuk do të tërhiqet kurrë në kufijtë e vitit 1967.