Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka kritikuar ashpër retorikën e vazhdueshme të zyrtarëve serbë në përvjetorin e Marrëveshjes për Normalizim, duke e cilësuar atë si strategji të qëllimshme kundër Kosovës. Sipas tij, përfaqësues të politikës, akademisë dhe shoqërisë civile në Serbi po shmangin thelbin e problemit dhe po refuzojnë realitetin e pavarësisë së Kosovës.
Fetoshi thekson se insistimi për Asociacionin, pa njohur kornizën juridike të Republikës së Kosovës, paraqet përpjekje për destabilizim dhe krijim të mekanizmave paralelë. Ai paralajmëron se kjo qasje rrezikon paqen dhe sigurinë rajonale, sidomos në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Mal të Zi lidhur me njohjen e Kosovës.
Shkrimi i plotë:
ANTI-NORMALIZIMI
Kori i retorikës shoviniste serbe (Vuçiq, Daçiq, Petkoviq, Odalloviq, Nikoliq), i përforcuar nga akademia (Radojkoviq, Gogiq, Trajkoviq) dhe shoqëria civile (Rakiq) në 13 vjetorin e Marrëveshjes mbi Normalizimin e Marrëdhënieve, është një “shfaqje e përsëritur” e komunikimit strategjik kundër Kosovës, që e shmang qëllimshëm thelbin e problemit.
Duke “harruar” se vetë e kishin kërkuar shqyrtimin e pavarësisë nga GJND-ja, “ankohen e akuzojnë” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa vazhdojnë ta refuzojnë kornizën e tij politike (Republikën e Kosovës), të konfirmuar nga institucioni më i lartë juridik i OKB-së.
Ironike, djallëzore e mashtruese ndaj vetë serbëve.
Një strategji perfide për “kalin e Trojës” në Kosovë, por pa e pranuar realitetin e pavarësisë.
Ky është projeksioni i Serbisë për “normalizimin”: duke e minuar Republikën e Kosovës dhe duke ligjëruar sundimin serb mbi Kosovën.
Një qasje hegjemoniste në luftën narrative, që synon më shumë se një Republikë Serbe në Kosovë.
Një qëllim i dekonstruktuar kaherë, i cili në thelb provokon “anti-normalizimin” përmes një proxy tjetër legal (krahas Listës Serbe) në funksion të rrënimit të shtetit.
“Vajtojnë” për Asociacionin, duke e kornizuar qëllimshëm si mekanizëm etnik (jo me shumicë serbe) për “t’i mbrojtur” ata, por pa e njohur kornizën juridike nën të cilën do të funksiononte ai.
Kjo do të thotë përpjekje për një levë tjetër taktike kundër Kosovës, pa e njohur Kosovën.
Një retorikë provokuese që ushqen tension, ndarje etnike e destabilizim, duke kërcënuar seriozisht paqen dhe sigurinë rajonale.
kësaj ia shtojmë edhe nismën e partisë pro-serbe në Mal të zi (DNP) për “tërheqjen e njohjes së Kosovës”, si dhe reagimin e fuqishëm të Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) atje, rreziku bëhet më real e me premisa të qarta të përshkallëzimit.
E nëse kjo është qasja e Vuçiqit si zgjatim i politikës së Millosheviqit, është e pafalshme që në korin shovinist të vazhdojnë edhe më tutje “profesorë, historianë, studiues e aktivistë të shoqërisë civile”.
