Lajme

Irlanda shqyrton rritjen e trupave në KFOR

Irlanda po shqyrton mundësinë e rritjes së ndjeshme të numrit të ushtarëve që kontribuojnë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, pas përfundimit të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban.

Sipas mediave irlandeze, aktualisht rreth 13 ushtarë irlandezë janë pjesë e KFOR-it. Planifikuesit ushtarakë po shqyrtojnë mundësinë e shtimit të trupave në këtë mision, si dhe në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, Althea, raporton “Irish Times”.

Diskutimet raportohet se janë ende në fazat fillestare dhe nuk është përcaktuar numri i ushtarëve që mund të angazhohen në këto misione.

Shqyrtimi i mundësisë për rritjen e pranisë ushtarake jashtë vendit vjen pas vendimit për përfundimin gradual të misionit UNIFIL në Libanin jugor, ku janë të angazhuar më shumë se 300 ushtarë irlandezë. Misioni pritet të nisë tërheqjen e trupave në fillim të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund pranisë gati pesëdekadëshe të Irlandës në këtë rajon.

Përfaqësuesit ushtarakë irlandezë kanë kërkuar që qeveria të identifikojë misione të reja ndërkombëtare ku Forcat e Mbrojtjes mund të kontribuojnë, me qëllim të krijimit të mundësive të reja për personelin dhe ruajtjes së ushtarëve në shërbim.

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës, gjenerallejtënant Rossa Mulcahy, ka thënë se përfundimi i misionit në Liban do të paraqesë sfidë për ushtrinë irlandeze, por nuk do të shënojë fundin e angazhimit të saj në misionet jashtë vendit.

Ndërkohë, rritja e mundshme e angazhimit në KFOR dhe në misionin Althea mund të realizohet edhe nëse mbetet në fuqi i ashtuquajturi mekanizëm i trefishtë i miratimit (Triple Lock), pasi të dyja misionet kanë mandat të Kombeve të Bashkuara.

Ky mekanizëm kërkon mandat të OKB-së për pjesëmarrjen e më shumë se 12 ushtarëve irlandezë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit. Qeveria irlandeze synon ta shfuqizojë këtë kërkesë, me argumentin se ajo u jep Rusisë dhe Kinës, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mundësinë për të bllokuar angazhimin e trupave irlandezë.

Ndërkaq, partitë opozitare e konsiderojnë këtë mekanizëm thelbësor për ruajtjen e neutralitetit të Irlandës.

Të Ngjashme