Lajme

​Ardian Gjini: Kosova ka nevojë për politika që e zhvillojnë vendin

Aleanca ka mbajtur sot një takim me strukturat e gjera të saj, ku kryetari Ardian Gjini ka shpalosur platformën politike të partisë dhe strategjinë për zhvillimin e Kosovës.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se partia synon të përgatitet për qeverisjen e ardhshme përmes hartimit të politikave të djathta, të cilat, sipas tij, do të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës.

Ai ka theksuar se synimet e partisë përfshijnë rritjen e pagave dhe pensioneve, përmirësimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve, forcimin e ushtrisë, si dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë, në mënyrë që të frenohet emigrimi.

Gjini ka thënë se qytetarët duhet të ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre dhe se Kosova duhet të arrijë respektim dhe pranim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare.

Gjini: Duam paga e pensione më të larta, shkolla e spitale më të mira

“Na duam siguri që nënkupton të ndihemi të sigurt në vendin tonë, jo vetëm fizikisht, por edhe për të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë, ta parashikojmë këtë të ardhme dhe ta dimë që kjo e ardhme mund të sjellë vetëm të mira. Ne duam paga më të larta, sikur gjithë të tjerët, për gjithë popullin tonë, duam pensione më të larta, duam shkolla më të mira, duam spitale më të mira, rrugë më të mira, duam ushtri më të fortë, duam pasaportë më të fuqishme, duam dalje të emigrimit masiv të rive edhe të rejave tona, duam të mos e urrejmë njëri-tjetrin, ta shohim bashkëqytetarin tonë si vëlla, si motër, si bashkëpunëtor, si mik, pavarësisht bindjeve politike, e jo ta shohim njëri-tjetrin si armik, duam me qenë të respektuar dhe të pranuar plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka vlerësuar se zhvillimet aktuale në Kosovë nuk po e afrojnë vendin drejt këtyre synimeve.

Gjini: Zhvillimet aktuale nuk po e afrojnë Kosovën drejt synimeve të nevojshme

“Po tash, tema është çka po ndodh në Kosovë: a jemi pranë asaj që të kemi shkolla më të mira, ushtrinë më të mirë, spitalet më të mira, rrugët më të mira, rrogat më të mëdha, pensionet më të mëdha apo jemi duke u larguar? Sa herë që flasim për politikë, nuk mund të mos krahasojmë, nuk mund të mos e bëjnë një prerje të gjendjes në të cilën jemi”, ka thënë Gjini.

Kreu i Aleancës ka kritikuar veçanërisht importimin e zallit dhe gurëve nga Serbia.

Deficiti i lartë tregtar, Ardian Gjini: Pse po blejmë zall e gurë në Serbi?

“Derisa deficiti tregtar, vetëm në Kosovë u rrit, e në krejt vendet tjera të rajonit, deficiti tregtar me vendet tjera ka ra, në secilin prej vendeve, pa i përmend tash mos me ju lodh fort juve, vetëm në Kosovë është rrit edhe në terma absolutë, që do të thotë si vlerë, edhe në terma relativë, që do të thotë si përqindje. Në të dyja. Vetëm ne kemi 30,3 bruto produktit vendor deficitin tregtar. E pse ka ndodh tash ky deficit tregtar? Pse u rrit kaq shumë? Që po ju tregoj sa thjesht është: për shkak se këta na kanë bërë të blejmë zall në Serbi, edhe që blejmë, ja është, ok, zall, gurë, jam lodhur duke e përmend, nuk e di a jam duke depërtuar te secili qytetar i Kosovës. Çka domethënë për një shtet që “është krejt gur”, t’i vijë puna që të blejë zall e gurë në Serbi”, deklaroi Gjini.

Kujtojmë, takimi u mbajt në kuadër të përgatitjeve të Aleancës për një fazë të re të mobilizimit politik të strukturave të saj në të gjitha nivelet organizative dhe do të shërbejë si pikënisje për intensifikimin e aktivitetit politik dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm të kësaj partie në raport me zhvillimet politike në vend.

Të Ngjashme