Arlinda Zekaj i tha Policisë më 10 korrik se ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, posedonte armë zjarri me leje dhe se ajo ndihej e rrezikuar prej tij. Sipas raportit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilin e ka siguruar Betimi për Drejtësi, arma nuk u verifikua, ndërsa pas vrasjes, në shtëpinë e Jeton Sylajt u gjet një armë.
Në deklaratën e dhënë më 10 korrik në Stacionin Policor në Pejë, Arlinda Zekaj tha se Jeton Sylaj e kishte kërcënuar me vdekje dhe e kishte nxjerrë nga shtëpia. Lidhur me armën, ajo deklaroi:
“Po Jetoni posedon armë zjarri me leje. Jo asnjëherë nuk më ka kërcënuar me armë. Nuk e di ku ndodhet arma. Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni.”
Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, hetuesi Qëndrim Sheremeti e njoftoi prokuroren kujdestare, Sadije Muriqi, për deklaratën, por lidhur me armën nuk u ndërmor asnjë veprim konkret.
“Përkundër kësaj lidhur me deklarimin se i dyshuari posedon armë, nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim konkret për sekuestrimin e armës”, thuhet në raportin e IPK-së.
Koordinatori nacional për dhunën në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurori Ersan Qavolli, shkruan se arma nuk u verifikua as në sistem dhe as në shtëpinë e Jeton Sylajt. Sipas tij, për këtë çështje ishte në dijeni edhe kryeprokurorja e Pejës.
“Nga kjo vërehet se çështja e armës së përmendur nga viktima nuk është trajtuar, nuk verifikuar fillimisht përmes sistemit nëse Jeton Sylaj posedon armë me leje, nuk është verifikuar në shtëpinë e tij nëse ka armë në shtëpi dhe çështje të tjera me rëndësi, e që pas rastit kritik rezulton se në shtëpinë e Jeton Sylaj është gjetur armë. Për të gjitha këto rrethana ka qenë e njohur edhe Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë Lumturije Vuçetaj.”
Raporti i referohet Ligjit për armët, sipas të cilit dhuna në familje dhe hetimi penal përbëjnë rrezik për rendin publik dhe mund të jenë bazë për sekuestrimin e armës dhe revokimin e lejes së saj. Ndaj Jeton Sylajt ishte iniciuar rast për kanosje që në korrik, ndërsa më 23 tetor u ngrit aktakuza.
Raporti nuk specifikon nëse arma e gjetur në shtëpinë e Jeton Sylajt kishte ndonjë lidhje me vrasjen. I dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili, sipas raportit të kryeprokurores së Pejës, e goditi me një mjet të fortë.
“Po ashtu vlerësoj se pavarësisht se arma është raportuar në muajin Korrik 2026, ka qenë dashur që të bëhet një verifikim për këtë armë”, përfundon koordinatori nacional.
