I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, gazetari investigativ Artan Hoxha u ndal sërish te çështja e shumëdiskutuar e zhdukjes së Ervis Martinaj, duke bërë deklarata të forta lidhur me hetimet.
Sipas Hoxhës, tashmë dihen si autori i dyshuar i ekzekutimit, ashtu edhe shuma që është paguar për eliminimin e Martinajt.
“Ne sot e dimë kush është edhe ekzekutori. Dimë edhe shumën që u vendos për t’u vrarë. Nëse themi që ai që ka bërë vrasjen ka marrë 500 mijë euro, ai mendon se ne nuk e dimë kush është?”, deklaroi gazetari.
Ai shtoi se Ervis Martinaj ishte një personazh publik që nuk fshihej, duke bërë jetë aktive në ambiente nate dhe në shoqëri me figura të njohura të ekranit, politikës dhe medias.
Sipas Hoxhës, gabimi më i madh i Martinajt ishte se nuk arriti të kontrollonte pushtetin dhe ndikimin që kishte krijuar ndër vite.
“Llogaria që bëri gabim Ervis Martinaj ishte që nuk e kontrolloi dot pushtetin që bëri”, u shpreh ai.
Në fund, gazetari kërkoi më shumë transparencë nga autoritetet, duke i bërë thirrje Policisë së Shtetit të japë informacion minimal për familjarët dhe opinionin publik.
“Policia e Shtetit duhet të thotë, pa prishur hetimet, që nga informacionet që ka, Ervis Martinaj nuk jeton. Babai i tij vjen dhe pyet për fatin e djalit”, deklaroi Hoxha.
