Lajme

“As provat, as dëshmitë nuk zhduken”, publicisti i kundërpërgjigjet ashpër Hasanit për Gjykatën Speciale – ia bën të qartë këtë gjë!

Publicisti Lis Bukuroca ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, lidhur me mundësinë e shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale nga shteti i Kosovës.

Bukuroca në reagimin e tij në Facebook, ka vënë në pikëpyetje pasojat juridike dhe politike të një vendimi të tillë, duke paralajmëruar për rrezikun e izolimit ndërkombëtar dhe sanksioneve, si dhe duke theksuar se shfuqizimi i ligjit nuk nënkupton anulimin e dënimeve të shqiptuara nga kjo gjykatë, përcjell “Bota sot”.

Ai ka ngritur gjithashtu pyetje për dallimin mes kompetencave të shtetit dhe atyre të gjykatave.

Reagimi i plotë

Edhe nëse Hasani ka të drejtë dhe Kosova mund ta shfuqizojë në mënyrë të njëanshme ligjin për Gjykatën Speciale, pa pajtimin e BE-së ajo rrezikon izolimin ndërkombëtar dhe sanksionet.

E pastaj, ai akt nuk do të thotë se Kosova mund t’i anulojë dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale. As provat, as dëshmitë. Ato mbeten.

Shfuqizimi i ligjit dhe anulimi i dënimeve janë dy çështje të ndryshme juridike:

e para lidhet me veprimet e shtetit, e dyta me kompetencat e gjykatave.

Shteti mund të miratojë ose të shfuqizojë ligje, por nuk mund të marrë rolin e gjykatës dhe të anulojë dënimet sipas vullnetit politik.

Si është e mundur që juristi të mos e dijë këtë dallim themelor?

Çfarë mund të bëjë shteti dhe çfarë u takon gjykatave janë dy gjëra të ndryshme.

Le të na shpjegojë Enver Hasani konkretisht: çfarë mund të bëjë shteti i Kosovës kundër vendimeve të gjykatave të veta? A mund t’i anulojë ato me ligj, apo vendimet gjyqësore mund të ndryshohen vetëm përmes procedurave gjyqësore?

Më thjeshtë për filloristë: a mund ta shpërbëjë Kosova Gjykatën e Apelit që liroi Agim Çekun dhe 9 të tjerë të dënuar për krijimin e UÇK-së së Re në vitin 2017?

Ju nuk po i kundërshtoni veprat penale ku bazohet Gjykata, ju po i kundërshtoni vetëm dënimet. Ju dëshironi ta zhbëni edhe Gjykatën e Apelit, kështu dënimet të mbeten përgjithmonë.

Të Ngjashme