Protesta qytetare në Tiranë, e nisur më 31 maj kundër projektit të investimit në Zvërnec, ka vijuar edhe sot për të 135-ën ditë radhazi, me marshimin e protestuesve drejt Kryeministrisë dhe thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin Skënderbej, nga ku marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, ata kërkuan largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, duke shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike.
Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës, u rikthyen edhe kërkesat për arsim publik cilësor dhe për përfshirje më të madhe të studentëve në vendimmarrjen universitare.
Ndërkaq, aktivisti Edison Lika deklaroi se protestuesit do të vazhdojnë qëndresën deri në realizimin e kërkesave të tyre për ndryshim politik.
Protesta, e cila fillimisht u organizua në kundërshtim të projektit të investimit në Zvërnec, gjatë muajve ka zgjeruar kërkesat, duke përfshirë anulimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit u zhvendosën drejt hyrjes së pasme të Kryeministrisë, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve në atë aks.
Sipas mediave shqiptare, lëvizja u bë pasi njëri nga aktivistët njoftoi se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda zyrës së tij.
Policia ndërhyri duke bllokuar rrugën, me qëllim që të pengonte protestuesit t’i afroheshin hyrjes së pasme të godinës.
