Lajme

Kurti takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe bashkërendimin gjatë dy mandateve të tij në krye të misionit të NATO-s në Kosovë.

Kurti bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, zhvillimet politike dhe situatën e sigurisë në vend dhe rajon, ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. Ai tha se Ulutaş largohet nga Kosova si mik, me të cilin do të ruhen kujtime të mira.

“Në dy mandatet e tij të komandës së KFOR-it, komunikimi me Gjeneralmajor Özkan Ulutaş ka qenë konstruktiv, ndërsa ai largohet nga vendi ynë si mik me të cilin do të ruajmë kujtime të mira.

Në takimin lamtumirës sot, e falënderova për bashkëpunimin e bashkërendimin. Biseduam për rrugën drejt anëtarësimit në NATO, por edhe për zhvillimet aktuale politike, për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, për ndërveprimin e mirë të institucioneve të Republikës e KFOR-it, si dhe për mundësitë konkrete të zgjerimit dhe thellimit të tij”, ka shkruar Kurti.

Të Ngjashme