Lajme

ASK: Mbi 405 mijë përfitues nga skema e shtesave për fëmijë në prill 2026

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin prill 2026, ku rezulton se numri më i madh i përfituesve ishte nga skema e shtesave për fëmijë.

Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë muajit prill nga skema e shtesave për fëmijë kanë përfituar 405 mijë e 722 persona, ndërsa vlera e mjeteve të shpërndara ka arritur në 14 milionë e 707 mijë euro.

Në kategorinë e pensioneve bazike të moshës janë regjistruar 164 mijë e 187 përfitues, me mbi 25.9 milionë euro të paguara, ndërsa pensionet kontributpaguese të moshës kanë përfshirë 48 mijë e 76 përfitues me pagesa prej mbi 11.7 milionë euro.

Sipas raportit, nga skema e veteranëve kanë përfituar 39 mijë e 34 persona, për të cilët janë ndarë mbi 7.8 milionë euro, ndërsa nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 15 mijë e 414 familje me mbi 2.2 milionë euro të shpërndara.

ASK bën të ditur se struktura e përfituesve të skemave sociale gjatë prillit 2026 është fokusuar kryesisht në mbështetjen e të moshuarve, kategorive të dala nga lufta dhe familjeve në nevojë.

Raporti përfshin gjithashtu të dhëna për pensionet familjare, pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike, pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pensionet e Trepçës dhe skema të tjera sociale.

Për më shumë detaje, ASK ka publikuar raportin e plotë në faqen zyrtare: Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Të Ngjashme