Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar performancën e institucioneve të Kosovës, duke u mbështetur në gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.
Duke folur në hollin e Kuvendit të Kosovës, Lushaku ka thënë se vendi, edhe pas shumë vitesh, vazhdon të përballet me kritere të papërmbushura dhe probleme të përsëritura në fusha të ndryshme.
Ajo ka përmendur funksionimin joefikas të sistemit të drejtësisë, vrasjet e grave, dhunën në familje, ngecjet në zhvillimin ekonomik, inflacionin dhe vështirësitë ekonomike të qytetarëve.
Sipas saj, probleme ka edhe në sistemin e arsimit, ndërsa ka vlerësuar se mungojnë reformat në pothuajse të gjitha fushat.
Lushaku ka kritikuar edhe ritmin e integrimit evropian, duke thënë se Kosova nuk po shënon progresin e nevojshëm në agjendën evropiane. Për këtë gjendje, ajo ka fajësuar mungesën e seriozitetit institucional dhe Qeverinë aktuale, për të cilën ka thënë se integrimin evropian nuk e ka prioritet.
Lushaku për Raportin e Progresit: Kosova po përsërit të njëjtat dështime, reformat nuk janë prioritet i Qeverisë
“Nuk e di në çfarë fushe doli mirë. Kosova, pas kaq shumë vitesh, ka çdo herë përsëritje të kritereve që janë të papërmbushura prej nesh. Sistem të drejtësisë joefikas, vrasje të grave dhe dhunë në familje më shumë se kurdoherë. Kjo është reflektim i gjendjes së sigurisë që e kemi në vend. Ngecje në zhvillim ekonomik, inflacion i lartë dhe mospërballje e qytetarëve me nevoja ekzistenciale ekonomike. Ke arsim jofunksional, s’ka reforma në asnjë fushë dhe ka dështim të procedimit të reformave…Ne jo që jemi vendi i fundit dhe nuk jemi askund në agjendat evropiane, por ne nuk jemi duke përparuar vetë si shtet. Më shumë për shkak të mosseriozitetit tonë dhe të Qeverisë aktuale, që nuk e ka prioritet këtë. Ne jemi duke dëshmuar se integrimi evropian i Kosovës nuk është qëllimi që e kemi domosdoshmërisht”, tha ajo.
