Lajme

“Askush mbi ligjin!” – Gërvalla shpërthen ndaj PDK-së, përmend Sami Lushtakun

Kryetarja e Listës Guxo dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë një takimi me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore ka drejtuar kritika të forta ndaj Partia Demokratike e Kosovës, duke e lidhur atë me çështjen e sundimit të ligjit në vend.

Në fjalën e saj, Gërvalla theksoi se çdo përpjekje për ndërtimin e shtetit ligjor me PDK-në është e pabazë, duke përmendur me emër edhe figurën politike Sami Lushtaku.

“Kushdo që mendon se me PDK-në mund të ndërtohet shtet ligjor, ne i përgjigjemi vetëm me dy fjalë: Sami Lushtaku”, u shpreh ajo, duke e përdorur këtë si referencë politike në diskutimin e saj.

Gërvalla vijoi me mesazhe të forta mbi barazinë para ligjit, duke theksuar se në Republikën e Kosovës askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo emrit që mban.

“Ai që beson që qëndron mbi ligjin, shumë shpejt do ta mësojë edhe ai edhe të gjithë të tjerët që në republikën tonë askush, absolutisht askush nuk qëndron mbi ligjin”, tha ajo.

Ajo shtoi se koha e pandëshkueshmërisë ka përfunduar dhe se dhuna nuk mund të tolerohet më në shoqërinë.

“Ka marrë fund koha kur shqiptari e rreh shqiptarin në Kosovë edhe mbetet pa ndëshkuar. Kushdo që e shkel ligjin dhe e përdor dhunë e ka vendin në burg, pavarësisht çfarë emri mban, pavarësisht çfarë funksioni ka. Kështu funksionon shteti ligjor”, përfundoi Gërvalla.

Të Ngjashme