Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se të enjten, më 28.05.2026, do t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese vlerësim të kushtetutshmërisë së Rregullores Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.
Sipas njoftimit, kërkesa do të dorëzohet në gjykatë nga Smajl Latifi, kryetari i Komunës së Rahovecit, në ora 15:00.
Rregullorja Nr. 07/2025 është publikuar më 09.01.2026, kurse qëllimi i saj është përcaktimi i rregullave dhe procedurës për rekrutimin e kandidatëve për pranim në shërbimin civil, themelimin e komisioneve, vlerësimin dhe emërimin e kandidatëve në shërbimin civil.
Asociacioni i Komunave vlerëson se dispozita të caktuara të kësaj rregulloreje cenojnë parimet kushtetuese të vetëqeverisjes lokale dhe autonominë e komunave në ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore.
“Komunat konsiderojnë se: Rregullorja rrit kontrollin e nivelit qendror mbi administratën komunale; kufizon autonominë e komunave në menaxhimin e personelit; krijon ndërhyrje në kompetencat vetanake të pushtetit lokal dhe është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.”- thuhet në njoftim.
Sipas AKK-së, komunat nuk janë kundër reformave në administratë publike, por çdo reformë duhet të ndërtohet në partneritet me pushtetin lokal dhe në respekt të plotë të autonomisë komunale të garantuar me Kushtetutë.
“Përmes kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese, komunat synojnë mbrojtjen e rendit kushtetues, të parimit të decentralizimit dhe të funksionimit demokratik të pushtetit lokal në Republikën e Kosovës”, vazhdon njoftimi.
Asociacioni thotë se do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe kompetencave kushtetuese të komunave.
