Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka vendosur që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Rregulloren e re për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, pasi thonë se me këtë rregullore cenohet autonomia lokale e komunave të Kosovës.
Në një prononcim për KosovaPress, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se me këtë rregullore, sistemi i rekrutimit të stafit civil, sipas mendimit të kryetarëve të komunave do të centralizohet.
Ibrahimi tha se në bazë të rregullores së re, departamenti që do merret me rekrutimin e stafit civil të komunave do të jetë ai për Mirëqenien e Zyrtarëve Publik në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ibrahimi: Rregullorja për Pranimin e Shërbimit Civil po konsiderohet shkelje e autonomisë lokale nga kryetarët
“Pra, për këtë arsye, kryetarët e komunave mendojnë se një veprim i tillë nuk është në harmoni me Kushtetutën. Në këtë Rregullore për Pranimin e Shërbimit Civil, neni 4, pika 6, thuhet se procedurat e rekrutimit zhvillohen nga DMZP-ja për institucionet e administratës shtetërore, me përjashtim të institucioneve që kanë nëpunës civilë me status të veçantë, për të cilat procedurat e rekrutimit i zhvillon njësia që merret me rekrutimin e personelit në atë institucion. DMZP-ja është Departamenti për Mirëqenien e Zyrtarëve Publik në kuadër të MPB-së. Pra, procedurat e rekrutimit do të zhvillohen nga kjo njësi për të gjitha institucionet në administratën shtetërore përveç disa institucioneve. Në këtë fushëveprim hyjnë edhe komunat. Kjo rregullore e autorizon këtë departament në MPB që të merret me procedurat e rekrutimit edhe për stafin civil në nivelin lokal, që kryetarët e komunave e konsiderojnë se është shkelje në autonominë e pushtetit lokal. Gjithashtu duke u bazuar në konventa ndërkombëtare, në veçanti në Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisje Lokale, ku Kushtetuta e Kosovës i ka marrë disa parime të kësaj karte për autonominë lokale, mendojnë kryetarët se ka shkelje edhe në këtë kartë dhe për këtë arsye kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, tha Ibrahimi.
Kjo rregullore zbatohet edhe nga institucionet e tjera shtetërore me përjashtim të Presidencës, Gjykatës Kushtetuese, sistemit të drejtësisë, Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të pavarura kushtetuese.
Ndërsa AKK-ja përmes një reagimi në “Facebook” gjatë ditës tha se pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave, e sipas tyre, çdo veprim që tejkalon këtë kuti, përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale.
