Lajme

Avokati Hamdi Jashari dënohet me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për ushtrim ndikimi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj avokatit Hamdi Jashari, të premten u shpall aktgjykimi me të cilin i njëjti u shpall fajtor, duke u dënuar me gjobë në shumë prej 1 mijë euro dhe burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Në këtë rast, Hamdi Jashari akuzohet se ka pranuar shumën prej 8 mijë euro për të ndikuar te kolegji i gjyqtarëve lidhur me vendimmarrjen për ekstradimin e një klienti të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Jashari u dënua me gjobë në shumë prej 1 mijë euro, si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili, me pëlqimin e të akuzuarit, mund të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Nëse i akuzuari pranon që dënimi me burgim t’i zëvendësohet me gjobë, të njëjtit do t’i hiqen 2 mijë e 340 euro për shkak të kohës së kaluar në masën e paraburgimit.

Gjithashtu, të akuzuarit iu ndalua ushtrimi i funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 1 viti.

I dëmtuari Veli Kryeziu u udhëzua në kontest civil, ndërsa i dëmtuari Ilmi Ajruli kishte hequr dorë nga kërkesa pasurore-juridike.

I akuzuari u obligua të paguante edhe shpenzimet e paushallit gjyqësor në vlerë prej 100 euro, si dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Ilir Foniqi – kryetar, dhe Ertan Sejfulla e Fatime Dermaku – anëtarë.

Gjatë arsyetimit, gjyqtari Foniqi deklaroi se i tërë aktgjykimi, sa i përket dënimit, mbështetet në provën materiale të incizimit dhe transkriptimit të tij.

Avokati Jashari më 23 janar 2024 ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se kishte pranuar 8 mijë euro për të ndikuar te gjyqtarët.

Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj Jasharit dhe e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtësit të Jasharit për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e akuzës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 dhjetor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Hamdi Jasharit, të cilin e ngarkon për ushtrim ndikimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 dhjetor 2023, i pandehuri Jashari, në cilësi të avokatit mbrojtës të të dënuarit-kërkuarit Avni Ajruli, nga 25 maji 2022 deri më 2 qershor 2022, ka kërkuar drejtpërdrejt dhe pranuar para në shumë prej 8 mijë euro nga Ilmi Ajruli, vëllai i Avniut, me qëllim që i njëjti t’ia japë këtë shumë të parave kolegjit të gjyqtarëve Naser Maliqi, kryetar i kolegjit, dhe anëtarëve Aziz Sheqiri dhe Veli Kryeziu.

Në aktakuzë thuhet se këto mjete janë dhënë të akuzuarit me qëllim që të njëjtit të ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e tyre në çështjen penale sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan për ekstradimin e të dënuarit Avni Ajruli për shkak të veprës penale “Vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin person e kërkonte shteti në fjalë për ekstradim, e që një kërkesë e tillë të refuzohet nga kolegji i lartcekur.

Me këto veprime, i akuzuari Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Të Ngjashme