Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka paralajmëruar një zhvlerësim të mëtejshëm të euros në raport me lekun, duke deklaruar se monedha europiane mund të zbresë në nivelin e 85 lekëve brenda 3-6 muajve të ardhshëm.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gjoni tha se paralajmërimin për këtë ecuri e kishte marrë më herët nga bankierë shqiptarë dhe të huaj.
Sipas tij, zhvlerësimi i euros nuk lidhet me fuqizimin e ekonomisë shqiptare, por me qarkullimin e parave të dyshuara si të paligjshme, të cilat, sipas tij, pastrohen përmes investimeve në ndërtim.
“Efekti tjetër që është shumë i rëndësishëm është që unë para 6 muajve, 1 viti, nga bankierë qoftë shqiptarë, por edhe të huaj, më kanë paralajmëruar që euro do të shkojë 85 lekë! A është kjo për shkak të fuqisë blerëse?! Besoj për 3-4 muaj, 6 muaj do të ndodhë, do të shkojë 85 lekë. Sot jemi në kufijtë e 89,5 lekëve. Për shkak të kujt është kjo, për shkak të zhvillimit ekonomik?! Jo. Është për shkak të pastrimit të parave në kullat që sot jepen leje. Vetëm në Shëngjin para disa ditësh janë dhënë 25 kulla!”, deklaroi Gjoni. (A2 Televizion)


