Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se do të paraqesë kallëzim penal ndaj prokurorit Blerim Igrishta, pas arrestimit dhe dërgimit në paraburgim të blegtorit Hashim Miftari, të cilit i kishte hyrë lopa në oborrin e Gjykatës në Graçanicë.
Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, Gashi ka treguar se ka vizituar fermën e Miftarit, ku ka takuar edhe lopën që u bë pjesë e këtij rasti.
Me ironi, avokati i është referuar lopës si “fajtorja”, duke rikujtuar se ajo kishte hyrë pa ftesë në oborrin e Gjykatës së Graçanicës.
Gashi ka bërë të ditur se më 18 nëntor, në orën 11:00, së bashku me klientin e tij do të paraqitet në Policinë e Kosovës, në Prishtinë, për ta denoncuar penalisht prokurorin Blerim Igrishta.
Sipas tij, kallëzimi penal do të bëhet për veprën e dyshuar të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Për këtë ‘faj’, prokurori Blerim Igrishta, pa asnjë arsye ligjore, e ka dërguar në ndalim dhe e ka arrestuar për 48 orë pronarin e Murricës”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se do ta përfaqësojë ligjërisht Miftarin edhe në këtë përballje, të cilën e ka cilësuar si betejë për drejtësi.
