Avokatja Adelina Hoxha, e cila përfaqësonte Arlinda Zekajn, gruan 49-vjeçare të vrarë në Vitomiricë të Pejës, ka treguar se klientja e saj i kishte shprehur vazhdimisht frikën se do të vritej. Sipas avokates, Arlinda i kishte thënë se ish-bashkëshorti kalonte shumicën e kohës me persona me mbiemrin Haradinaj.
“Arlinda ma ka potencu: ‘Ka me m’vra, se ai tanë kohën është me Haradinajt'”, ka deklaruar avokatja.
Hoxha ka theksuar se me këtë deklaratë nuk synon të akuzojë apo t’ia atribuojë përgjegjësinë askujt. Sipas saj, e ka për obligim profesional dhe moral të bëjë publike atë që viktima i kishte thënë para se të vritej.
Përmendja e këtij mbiemri nuk përbën, në vetvete, provë për përfshirjen e ndonjë personi në rast. Institucionet e drejtësisë nuk kanë bërë publik ndonjë informacion që lidh persona me mbiemrin Haradinaj me vrasjen.
Jep dorëheqje drejtori i Policisë
Ndërkohë, rasti ka çuar në dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Kryeministri Albin Kurti njoftoi të premten se e ka pranuar kërkesën e tij dhe e ka liruar nga detyra, ndërsa me propozim të ministrit Xhelal Sveçla është caktuar një ushtrues detyre. I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për arsyet, Hoxha e cilësoi largimin si “dorëheqje morale”.
Pezullime në Polici dhe në Prokurori
Një ditë më parë, Policia e Kosovës pezulloi 11 zyrtarë policorë të Pejës për mënyrën se si ishte trajtuar rasti. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar vendimin për zëvendëskryeprokuroren e Pejës. Sipas KPK-së, ajo ishte në dijeni se më 22 tetor ishte shkelur urdhri për mbrojtje ndaj Arlinda Zekajt, por nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme prokuroriale.
Opozita vlerëson se kjo nuk mjafton. PDK-ja deklaroi se dorëheqja e drejtorit të Policisë nuk mund ta amnistojë ministrin Sveçla nga dështimet në këtë institucion. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka refuzuar më herët të japë dorëheqje.
Vrasja e paralajmëruar
Arlinda Zekaj u vra me sëpatë mbrëmjen e 25 tetorit pranë shtëpisë së saj në Vitomiricë. Kjo ndodhi pak minuta pasi policia e kishte shoqëruar në shtëpinë e përbashkët, në përputhje me një vendim gjyqësor. Po atë ditë ajo kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë në familje, ndërsa ai ishte ndaluar për 48 orë. I dyshuari për vrasjen, kunati i saj, u arrestua në Deçan në orët e vona të 27 tetorit.
Zekaj kishte kërkuar ndihmë nga institucionet prej muajsh. Dy ditë para vrasjes, ajo i ishte ankuar me shkrim kryeprokurores së Pejës për trajtimin e rastit dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor. Kryeministri Kurti e ka cilësuar rastin si një zinxhir sistemor lëshimesh të institucioneve, ndërsa vrasja ka nxitur protesta në Prishtinë, Pejë dhe qytete të tjera.
