Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist njoftoi se do të vazhdojnë protestat, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Në njoftim thuhet se të shtunën protesta do të zhvillohet nga ora 17:00.
“PROTESTA KOMBËTARE VAZHDON! Të shtunën në orën 17:00 mblidhemi prapë për ta vazhduar luftën tonë për drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara. Nesër, pasnesër e çdo ditë që vijon do t´i mbushim rrugët dhe sheshet e do t´i bllokojmë institucionet deri kur çdo kërkesë e jona të plotësohet. Zëri ynë do të dëgjohet. Shteti do të jap llogari. Mblidhemi tek sheshi Zahir Pajaziti për të vazhduar pastaj së bashku drejt Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Dilni nga shtëpitë e bashkohuni”, thuhet në mesazhin e Kolektivit.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Para se të vritej Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.
