SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Hyseni dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Kontrollet ndaj saj janë zhvilluar në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Sipas raportimeve, Hyseni aktualisht ndodhet jashtë vendit, në Baku të Azerbajxhanit.
Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili ka rikthyer në vëmendje një postim të gazetarit Berat Buzhala nga viti 2025.
Në atë postim, Buzhala kishte shkruar për Vlorë Hysenin, e cila ishte emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri nga kryeministri Edi Rama.
Bajqinovci e ka ironizuar Buzhalën, duke e lidhur shkrimin e tij të atëhershëm me zhvillimet e fundit.
“Këdo që po e lavdon Buzhala, s’po ia sheh hajrin. O po arrestohet, o po i sekuestrohet hoteli nga SPAK-u. Kënd e lavdon Berati, po dihet ku përfundon”, ka shkruar Bajqinovci.
