Lajme

Ballkani në fokusin e Uashingtonit, eksperti zbulon rrezikun që vjen nga Serbia dhe Rusia

Në një periudhë kur tensionet gjeopolitike në Evropë mbeten të larta dhe ndikimi i aktorëve të jashtëm në Ballkan vazhdon të jetë një sfidë për sigurinë rajonale, vizita e dy kongresistëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor, Keith Self dhe Suhas Subramanyam ka tërhequr vëmendje të madhe.

Ajo shihet si një sinjal i qartë i angazhimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe orientimit euroatlantik të rajonit.

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i cili tha se, vizita e kongresmenëve amerikanë është si një sinjal politik që SHBA nuk do lë vakum sigurie në rajon.

Image
Fatjon Softa

Madje, pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike, ai u shpreh se, kjo vëmendje e SHBA-së, për Ballkanin, veçanërisht Kosovën është e mirëpritur.

“Vizita e dy kongresmenëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor duhet parë si një sinjal politik dhe strategjik se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të lënë një vakum sigurie në rajon. Në një periudhë kur tensionet gjeopolitike janë rritur ndjeshëm, sidomos pas luftës në Ukrainë, Uashingtoni po riafirmon praninë dhe interesin e tij për stabilitetin e Ballkanit, sepse historia ka treguar se çdo paqartësi apo mungesë vëmendjeje nga Perëndimi krijon hapësirë për ndikime destabilizuese nga faktorë të tjerë me interesa në rajon”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Softa përmendi edhe faktin që rajoni ynë mbetet i brishtë sa i përket sigurisë dhe politikës.

Në këtë pikë, përmendi edhe ndikimin e Rusisë dhe Kinës përmes Serbisë.

“Sot, Ballkani mbetet një zonë me ekuilibra të brishtë etnikë, politikë dhe ekonomikë. Serbia vazhdon të luajë një rol të dyfishtë: nga njëra anë kërkon integrim evropian, ndërsa nga ana tjetër ruan lidhje të forta politike, ushtarake dhe energjetike me Rusinë, por edhe me Kinën. Kjo e bën rajonin vulnerabël ndaj ndikimeve hibride, propagandës dhe tensioneve të kontrolluara politikisht”.

Po ashtu, eksperti vlerësoi se çdo krizë stabiliteti në Ballkan i përshtatet Rusisë.

Sipas tij, rreziku nuk qëndron te konflikti ushtarak, por te destabilizimi përmes luftës hibride.

“Rusia, në kushtet kur është e përfshirë në konfliktin në Ukrainë dhe po përballet me izolim ndërkombëtar, ka interes strategjik që Ballkani të mbetet një vatër e hapur tensioni. Çdo krizë në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë apo në raportet ndëretnike në rajon, i shërben Moskës për të shpërqendruar vëmendjen e Perëndimit dhe për të dëshmuar se Evropa nuk arrin të garantojë stabilitet as në oborrin e saj.

Nga këndvështrimi i sigurisë, rreziku nuk qëndron domosdoshmërisht te një konflikt klasik ushtarak, por te destabilizimi gradual përmes luftës hibride: dezinformimit, nxitjes së nacionalizmit, instrumentalizimit të grupeve radikale, presionit ekonomik apo ndikimit në struktura politike dhe mediatike. Ngjarjet në veri të Kosovës apo tensionet e vazhdueshme në Bosnjë dhe Hercegovinë tregojnë se këta mekanizma janë ende aktive”, tha Softa.

Në fund, ai shtoi se, e gjithë kjo vizitë tregon se SHBA e konsideron si pjesë të arkitekturës euroatlantike të sigurisë

Prandaj, prania e kongresmenëve amerikanë në rajon ka peshë simbolike dhe operative. Ajo është një mesazh se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë Ballkanin pjesë të arkitekturës euroatlantike të sigurisë dhe se nuk do të tolerojë skenarë destabilizues që mund të prodhojnë pasoja më të gjera për Evropën.

Në këtë kontekst, vendet e rajonit duhet të kuptojnë se siguria sot nuk garantohet vetëm me polici apo ushtri, por edhe me institucione të forta, koordinim me aleatët strategjikë, luftë kundër dezinformimit dhe rritje të besimit të qytetarëve te shteti. Pikërisht këtu do të zhvillohet edhe beteja reale për stabilitetin e Ballkanit në vitet që vijnë”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

Të Ngjashme