Janë ekspertizat e Byros Federale të Hetimeve të SHBA dhe ato të Policisë Shkencore të Romës, që po dëshmojnë lidhjen e tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Në to, sipas prokurorit Bekim Kodraliu, u trajtuan mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e të akuzuarit Jovan Viçentijeviqit dhe ato janë krahasuar me mostrat e dheut të siguruar në vendin e ngjarjes por edhe të tri vendeve të tjera të ndryshme, me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës.
Kjo, derisa u trajtua edhe ADN-ja e gjetur në fitilin ndezës të eksplozivit.
Kështu u bë me dije në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të enjten.
Prokurori Kodraliu: Ekspertët e FBI-së i morën mostrat e baltës nga vendi i ngjarjes dhe dhe i krahasuan me tri vende tjera
“Ndër provat që do të prezantohen para jush, që konsiderojmë se kanë një rëndësi të veçantë të besueshmërisë, është edhe raporti i ekspertizës i mostrave të dheut të realizuara nga laboratorët federalë të shteteve të bashkuara të Amerikës. Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e të pandehurit Jovan Vićentijević dhe ato mostra i kanë krahasuar me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në tre vende të tjera të ndryshme me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës së gjetur në çizmet e të pandehurit. Konkluzioni i ekspertëve të FBI-së ka konstatuar se mostrat e çizmeve të të pandehurit për dallim nga tre vendet e tjera, nuk paraqesin dallime për nga ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe karakteristika të tjera fizike të dheut të marrë në vendin e ngjarjes me dheun dhe baltën që është gjetur në çizmet e të pandehurit. E që do të vërtetohet para jush se pandehurit kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulmin terrorist”, tha ai, raporton KosovaPress.
Tutje, Kodraliu tha se kjo gjendje do të vërtetohet edhe nga raportet e ekzaminimit të pajisjeve elektronike, komunikimet mes personave të ndryshëm dhe të akuzuarve, fotografimi dhe incizimi i objekteve të KFOR-it në brendësi të tij, fotografimi i Njësisë Speciale të Kosovës por edhe bazuar në video-incizime të Viçentijeviqit më uniforma ushtarake serbe.
Kodraliu: Viçentijeviqit iu gjetën materiale duke i fotografuar Njësinë Speciale, KFOR-in e duke ushtruar në poligon në Serbi
“Kjo gjendje do të vërtetohet edhe nga raportet e ekzaminimit të pajisjeve elektronike, komunikimet në mes personave të ndryshëm dhe të pandehurve, fotografimi dhe incizimi i objekteve të KFOR-it në brendësi të tij, fotografimi i bazës së njësisë speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik, fotografimi dhe video incizimi i pjesëtarëve të KFOR-it amerikan, si dhe video incizime e fotografi të të pandehurit Viçentijeviq me uniforma ushtarake serbe dhe pajisje luftarake e pjesëmarrja në ushtrimet e tyre në poligonin që e potencuam më herët. Të gjitha këto dokumentojnë se të pandehurit kanë ndërmarrë veprime inkriminuese. Gjatë ekzaminimit të pajisjeve elektronike të të pandehurit, janë gjetur dokumente konfidenciale të KFOR-it prej rreth 66 faqesh me nivel të klasifikimit ‘Konfidencial’. Është gjetur edhe kartela identifikuese e tij që e konfirmon se i njëjti ishte pjesëtar i shërbimit inteligjent ushtarak serb”, tha ai, raporton KosovaPress.
Për Kodraliun, fajtor për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit është pikërisht Viçentijeviqi, pasi tha se raporti i shërbimit të policisë shkencore në Romë ka treguar se gjurmët e ADN-së së serbit janë gjetur në fitilin ndezës të eksplozivit në vendin e ngjarjes.
Kodraliu: ADN-ja e Viçientijeviqit u gjet në fitilin e eksplozivit në “Ibër-Lepenc”
Raporti i shërbimit të policisë shkencore në Romë, respektivisht ekzaminimi biologjik i mostrave të ADN-së, do të vërtetojë pa asnjë mëdyshje se i pandehuri Jovan Vićentijević ka kryer sulmin terrorist, ngase në fitilin ndezës të eksplozivit të gjetur dhe i marrë në vendin e ngjarjes, është vërtetuar shkencërisht se në atë fitil janë gjetur gjurmët e ADN-së së të pandehurit Jovan Vićentijević
