Lajme

Bariu dyshohet se kërcënoi turistët ndërkombëtarë në Bjeshkët e Nemuna, Prokuroria nis hetimet

Një bari po dyshohet se ua ndërpreu vizitën në Kosovë një grupi turistësh të huaj. Sipas denoncimit të turistëve, bariu i kërcënoi rëndë në Bjeshkët e Nemuna, duke i detyruar të kthehen prapa.

Ky kërcënim ua ndali vizitën.

Turistë nga disa shtete të botës, para gjashtë ditësh nuk u lejuan të vazhdojnë ecjen në Bjeshkët e Nemuna.

Sipas denoncimit të tyre, ata u kërcënuan nga një bari i zonës.

Në kushte anonimiteti, njëri nga guidat që drejtonte turistët ndërkombëtare, rrëfeu gjithë pretendimet e tyre.

Kërcënimi, sipas tij, nisi pas nga një kërkesë e bariut.

“E takoj këtë zotëriun, e përshëndes i thashë si kalove mirë ke qenë? Ku ishit më pyeti, ishim në Gjeravicë i thashë, ku po shkoni, i thashë në Liqen të Lubojës dhe do shkojmë ke Gacaferi, ah paski rrugë me bë, po i thashë, a ke qenë se e pashë që ishte me bagëti me dele, jo tha nuk kam qenë tha po aty ku janë delet tha mos m’i lëvizni nga shtegu po bjeri anash deleve, okej dakord i thashë”, u shpreh përfaqesuesi i turisëve.

Fatmirësisht, ai tregon se nuk pati ndonjë përplasje fizike.

Megjithatë, ngjarja frikësoi turistët.

“Vendndodhja e deleve ishtë në shteg dhe unë e kisha të pamundur për të zbritur për të kalu andej pa anash deleve sepse tereni ishte i rrëshqitshëm dhe shumë pjerrët. Dhe duke qenë se isha me turistë, gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte që të mos rrezikojë turistët. Momentin që e pashë, delet lëvizën, sepse isha afër te delet edhe nëse do të kaloja afër deleve gjithsesi që do ishim pranë dhe zotëria erdhi me vrap dhe erdhi me fjalë të rënda, ju me këta turistët, ju bëni para unë sbëj asgjë, ktheni prapshtë, etj” , ka thënë tutje përfaqesuesi i turisëve.

Ngjarja e rëndë, e ka shqetësuar edhe Albanik Gacaferin, nikoqir të këtyre turistëve.

“I kërkova falje turistëve për këtë veprim të tij që e ka bërë dhe iu thashë se duheni të ndiheni të sigurt për shkak që veprime të tilla nuk ka pasë asnjëherë në Bjeshkët tona dhe kjo është një gjë shumë e keqe edhe për imazhin e turizmit, por edhe për ne që operojmë në Bjeshkë… Ne si shtet i Kosovës, patjetër sigurinë e kemi primare sidomos në zhvillimin e turizmit, këso sendesh nuk bënë me ndodhë dhe janë të papranueshme për ne si shoqëri me ndodhë këso sendesh të tilla”, deklaroj pronari i Bujtinës, Albanik Gacaferi.

Deri tani, ai thekson se kanë pasur bashkëpunim të mirë me grupe turistësh nga e gjithë bota.

Për ndodhinë, Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur tashmë hetimet.

“Bazuar në raportimet në rrjete sociale për pengimin dhe kanosjen e disa të rinjve në Bjeshkët e Nemuna, Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Policinë e Kosovës që fillimisht të bëjë identifikimin e dëshmitarëve, intervistimin e tyre dhe më pas të bëhet identifikimi i personit të dyshuar dhe njëkohësisht të merren veprimet ligjore ndaj tij”, ka thënë Nikçi.

Ndryshe, Bjeshkët e Junikut mbeten një nga destinacionet kryesore të turizmit malor në Kosovë.

Të Ngjashme