Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për rehabilitimin e rrugës rajonale R102, në segmentin Skënderaj – Klinë e Epërme.
Sipas Bashës, projekti përfshin rehabilitimin e një segmenti rrugor me gjatësi prej 1.8 kilometrash, ndërsa vlera e investimit është 751 mijë e 570 euro e 95 centë.
Përmes një njoftimi, ministri ka bërë të ditur se dëmtimet e kësaj rruge kanë shkaktuar prej kohësh vështirësi për banorët që e shfrytëzojnë atë.
Ai ka theksuar se që nga marrja e detyrës si ministër është angazhuar për adresimin e këtij problemi dhe realizimin e projektit të rehabilitimit.
Sipas tij, investimi synon të rrisë sigurinë në trafik dhe të përmirësojë kushtet e qarkullimit për qytetarët.
Basha ka bërë të ditur se afati për realizimin e punimeve është 35 ditë kalendarike, duke shprehur zotimin që ato të zhvillohen me intensitet dhe cilësi, në përputhje me afatin e përcaktuar në kontratë.
“Vazhdojmë me investime konkrete, duke adresuar problemet dhe duke përmirësuar infrastrukturën rrugore në çdo komunë të Kosovës”, ka deklaruar Basha.
