Aktuale

Nisma “KURSE” e qeverisë/ Nga vezët te qumështi dhe vaji, ja sa ulen çmimet e produkteve të shportës

Qytetarët do të mund të blejnë një sërë produktesh të shportës me çmime të reduktuara deri në 40%, në kuadër të nismës së re “KURSE”, të prezantuar këtë të hënë nga qeveria në platformën “Pasqyrë Albania”. Programi është një iniciativë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe realizohet në bashkëpunim me rrjetet e supermarketeve dhe furnitorët. Skema parashikon reduktimin e marzheve tregtare, me qëllim që ulja të reflektohet drejtpërdrejt në çmimin që paguan konsumatori.

Çmimet e reja do të aplikohen nga sot dhe do të qëndrojnë në fuqi deri më 12 janar 2027.Nga lista e publikuar, uljet më të mëdha prekin kripën dhe vezët, për të cilat reduktimi i çmimit mund të arrijë deri në 40%.Ndryshime të konsiderueshme parashikohen edhe për disa prej produkteve më të përdorura në familjet shqiptare. Orizi do të kushtojë nga 4% deri në 26% më pak, ndërsa për qumështin ulja varion nga 4% në 25%. Edhe thjerrëzat mund të blihen deri në 25% më lirë, ndërsa për miellin reduktimi arrin deri në 24%.

Në nismë janë përfshirë gjithashtu makaronat, me ulje nga 3% deri në 22%, dhe salca e domates, çmimi i së cilës reduktohet deri në 21%.Për fasulet parashikohet një ulje prej 15-20%, ndërsa kosi do të jetë 5-20% më lirë. Djathi përfshihet me reduktime nga 7% në 17%, kurse gjalpi nga 6% në 15%.Në kategorinë e produkteve të tjera, kafeja do të ketë ulje deri në 15%, bananet deri në 13%, ndërsa salçiçet dhe kremviçet deri në 11%. Për sheqerin, reduktimi është më i kufizuar dhe varion nga 1% deri në 7%.

Lista përfshin gjithashtu ujin me 17% ulje, niseshtenë me 18%, proshutën me 8%, biskotat dhe bullgurin me nga 6%, si dhe vajin e ullirit dhe specat konservë me nga 5%. Për vajin e lulediellit çmimet reduktohen me 3-6%, ndërsa për lëngjet e frutave me 5-6%.Përmes platformës, konsumatorët do të kenë mundësi të shohin diferencën mes çmimit të mëparshëm dhe atij të aplikuar në kuadër të nismës, duke llogaritur edhe kursimin për secilin artikull.

Produktet dhe uljet e parashikuara:

Kripë dhe vezë – deri në 40%
Oriz – 4-26%
Qumësht – 4-25%
Thjerrëza – 6-25%
Miell – 4-24%
Makarona – 3-22%
Salcë domate – deri në 21%
Fasule – 15-20%
Kos – 5-20%
Niseshte – 18%
Djathë – 7-17%
Ujë – 17%
Gjalpë dhe kafe – deri në 15%
Banane – 9-13%
Salçiçe/kremviçe – 7-11%
Proshutë – 8%
Sheqer – 1-7%
Biskota dhe bullgur – 6%
Lëngje frutash – 5-6%
Vaj luledielli – 3-6%
Vaj ulliri dhe speca konservë – 5%.

Të Ngjashme