Lajme

Basha nga Shkupi: Intensifikohet bashkëpunimi për rrugën Prizren–Tetovë

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka zhvilluar në Shkup një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski.

Në fokus të takimit ka qenë projekti strategjik i rrugës Prizren–Tetovë dhe tuneli që pritet të lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Basha ka bërë të ditur se projekti tashmë është në proces, ndërsa ekipet teknike të të dyja vendeve janë duke bashkëpunuar në hartimin e tij. Sipas tij, gjatë takimit është dakorduar që ky bashkëpunim të intensifikohet, me synim finalizimin sa më të shpejtë të projektit dhe vijimin e procedurave për kontraktimin dhe realizimin e tij.

Ai ka theksuar rëndësinë e projektit për lidhjen infrastrukturore dhe zhvillimin ekonomik të dy vendeve, duke thënë se tuneli do ta shkurtojë ndjeshëm distancën ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës dhe do të krijojë një korridor të ri ekonomik mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në takim është diskutuar edhe për avancimin e lidhjeve të tjera rrugore dhe hekurudhore, përfshirë autostradën Prishtinë–Shkup, rikthimin e komunikacionit hekurudhor dhe funksionalizimin e një stacioni të përbashkët hekurudhor kufitar, “One Stop Shop”.

Sipas Bashës, përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave, do të afrojë bizneset dhe do të krijojë mundësi të reja për tregti, investime dhe zhvillim ekonomik.

Basha ka falënderuar ministrin Nikoloski dhe zëvendësministren Kaltrina Zekolli-Shaqiri për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar se synimi i përbashkët është që projektet e diskutuara prej kohësh të kalojnë nga planet në realizim konkret.

Të Ngjashme