Lajme

BE-ja s’dërgon vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, Zyra e Presidencës jep sqarime

Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë asnjë vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, që do të mbahen më 7 qershor.

Për dallim prej herëve të kaluara, procesi zgjedhor i këtij viti do të zhvillohet pa “llupën” e ndërkombëtarëve.

Për mungesën e vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin zgjedhor të së dielës, sqarime ka dhënë Zyra e Presidencës së Kosovës.

Në një reagim për media, nga kjo zyrë që tashmë udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, thuhet se ftesa e saj drejtuar BB-së për vëzhgimin e zgjedhjeve nuk është injoruar

“Zyra e Presidentes ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, në të cilën theksohet se, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë.”, thuhet në reagim.

Aty thuhet se në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend.

“Prandaj, paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve. Zyra e Presidentes mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve. Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike.”, thuhet në reagim.

Të Ngjashme