Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se pas ratifikimit të marrëveshjeve për Planin e Rritjes me Komisioni Evropian, ka nisur transferimi i mjeteve financiare për Kosovën.
“Ka filluar transferimi i 61.8 milionë eurove si parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes,” ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve tashmë është në dispozicion të buxhetit të shtetit.
“Rreth 29 milionë euro janë transferuar si kredi direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa 33 milionë euro të tjera do të kalojnë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), ku përfshihen edhe grante dhe kredi,” theksoi ai.
Kurti nënvizoi se Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e reformave të kërkuara.
“Ne jemi të fokusuar në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe në shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron Plani i Rritjes,” u shpreh ai.
Ai shtoi se kjo është një përgjegjësi e përbashkët institucionale.
“Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e ekzekutivit, por një agjendë e përbashkët që përfshin edhe gjyqësorin dhe Kuvendin,” deklaroi Kurti.
Në fund, kryeministri shprehu mirënjohje për mbështetjen evropiane.
“Falënderojmë Bashkimin Evropian për këtë hap dhe mbetemi të angazhuar për zbatimin e hapave të radhës,” përfundoi ai.
